Djegia e pakontrolluar e mbetjeve në Kënetë të Durrësit, ankohen banorët: Masakër mjedisore!
Banorët e zonës së Kënetës në Durrës kanë ngritur shqetësimin për djegien pa kriter të mbetjeve urbane në zonën e banuar. Sipas qytetarëve mbeturinat grumbullohen aty dhe digjen pa kriter, ndërsa Bashkia nuk ka kthyer asnjë përgjigje për zgjidhjen e situatës pavarësisht ankesave të vazhdueshme prej disa muajsh.
Banorët e zonës së Kënetës në Durrës në lagjen 17 përballen prej disa muajsh me ndotjen nga djegia e mbetjeve.
Mbeturinat digjen pranë shtëpive të banuara, duke krijuar rrezik për problem me shëndetin.
“Nxjerrin erë të keqe, tym. Gjithë tymi hyn në shtëpi. Fëmijët e vegjël dhe pleqtë e kanë më keq se i bllokon komplet.”
“Tragjike? Kot që flasim, 3 vjet që merremi me këtë punë.”
Banorët e zonës thonë se janë ankuar tek kryetarja e bashkisë, Emirjana Sako, por nuk kanë marrë ende asnjë përgjigje.
“Kam bërë ankesa dhe në bashki dhe nuk kanë ardhur. Thonë se janë bllokuar andej nga Tirana.”
“Përditë digjen plehra, ditë-natë, masakër mjedisore. Shteti nuk merr masa.”
Situata bëhet më shqetësuese gjatë orëve të mbrëmjes, siç mund të shihet edhe në këto foto.
Menaxhimi i mbetjeve urbane është kthyer në një problem disa vjeçar pothuajse në të gjithë territorin e bashkisë së Durrësit. /Ora News