Do ketë ulje të rasteve në fund të gushtit, Brataj bën parashikimin, tregon nëse do rivendoset karantina
Drejtori i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj në një intervistë për gazetaren e Fax Neës Ema Shazivari ka folur në lidhje me shtimin e rasteve me Covid 19 në vendin tonë, dhe me rritjen e numrit të të shtruarve në spital.
Brataj parashikon se në 2-3 javët e ardhshme, numrat do të nisin të bien, edhe për shkak të ndërgjegjësimit më të lartë të qytetarëve, dhe të përdorimit të detyrueshëm të maskave.
“Kjo është një rritje që e kemi parë prej disa javësh, për shkak të lirimit të masave. Do të kemi dhe 2-3 javë rritje të numrit të të infektuarve, pasi hapja e madhe do të thotë shtim i kontakteve të njerëzve, a i kemi zbatuar apo jo masat është një tjetër problem kyç, që mendoj se nuk janë zbatuar ashtu siç duhet.
E vetmja mënyrë për uljen e rasteve është gjurmimi i rasteve, trajtimi në banesë i rasteve që janë më të lehta, nëse ka përkeqësim apo nevojë për oksigjen, duhet të shkojnë në spitalet Covid 1 dhe Covid 2. Shtimi në masë më të madhe se parashikimi i numrave, atëherë do të duhet të kemi një rikthim të kufizimit të masave.
Patologjia vazhdon që të jetë ekzistente, janë infarktet, traumat, tumoret, traumat e brendshme, të gjitha ato patologji që kanë qenë dhe do të ekzsitojnë. Urgjenca i ka të gjitha kapacitetet në përballimin e këtyre rasteve, ne po kërkojmë që të kemi mundësinë e përballimit të asaj që do të vijë në muajt e ardhshëm, dhe kjo kërkon një studim të mirëfilttë të burimeve njerëzore dhe financiare”, u shpreh Brataj.
Ndërkohë Brataj tha se sa i takon hapjes së pishinave, nuk janë aq të rrezikshme sa mbajtja hapur e lokaleve të natës, ku përqendrimi i njerëzve është më i lartë. Brataj tha se nuk do të ketë më një rikthim të karantinës që u vu në fillim të pranverës, por mund të ketë kufizime në orare.
“Ne kemi njohuri më të mira sesa ato që ishin në fillim, por prapë ka anë të errëta të virusit, të cilatb jemi duke i ndjekur hap pas hapi. Hapja e pishinave nuk është e njëjtë me rrezikun që ka hapja e lokaleve të natës, që kanë me qindra dhe me mijëra njerëz. Nuk flitet për izolim dhe karantinim, por flitet për mbyllje të aktiviteteve të caktuara po vendosjen e orareve, kjo varet nga njerëzit, dhe jo nga rregullat që vendos Komiteti.
Respektimi i masave nga qytetarët do të sillte menjëherë uljen e shifrave në tre javët e ardhshme. Sa më shpejt ta kuptojmë këtë aq më mirë është. Në fundin e muajit që vjen unë mendoj se do të ketë një ulje të numrit të infektimeve pikërisht për shkak të bërjes së maskës së detyrueshme.
Çdo sëmundje normal që ka pikat e dobta për grupe të caktuara të popullsisë, por nuk përjashtohet mundësia që edhe persona të shëndoshë të kërcënohen nga ky virus. Komplikacionet më të mëdha janë në mushkëri, fakt pozitiv është që nuk dëmtohet indi plumonar”, u shpreh më tej Brataj.