Do mallkoni veten një ditë siç e mallkuat për Enverin
Nga: Ilir Levonja
Në Shqipëri po diskutohet një ligj për portalet, por që qeveria e ka cilësuar si ligji kundër shpifjes. Nuk do ndalem shumë në faktin konkret pra mbi shpifjen, pasi që në krye nuk ia vlen, se ligji për shtypin ekziston. Aty geni dhe problemin e precedentit në fjalë dhe hapat që ndërmerren nga organet kompetente etj. Për më tepër problemi në Shqipëri nuk është ligji, nuk janë ligjet, por edukata profesionale mbi zbatimin e tij. Sepse ligjet me të mirat dhe të këqijat e tyre brenda, kanë ekzistuar, por në masën 99% janë zbatuar sipas taksës së qerasjes a rryshfetit etj., pa diskutim edhe mikut. Megjithëse edhe ky e kishte një haraç të majmë, biles karatët e mikut i caktonte ky haraçi.
I vetmi ligj që nuk hante rryshfet a mikun ishte ai për agjitacion e propogandë dhe koha tregoi se ne mbartnim zellin e kafshës për ta zbatuar pikë për pikë. Pra problemi qëndron tek zbatimi ose ajo që ca zagarë afër kryeministrit kënaqen dhe nxitojnë të ta shpjegojnë me argumentin se e shikon, prandaj duhet reforma në drejtësi. Dhe sjellin si dëme kolosale atë çfarë kanë bërë paardhësit e tyre, iksi apo ypsiloni, ndërkohë që gdhihen vetë kryemilionerë, zhvasin e rrjepin të gjallë edhe më të vobektin, prapë hujdët janë ata që ishin dikur në pushtet. Mund të rrinë vetë edhe një shekull në qeverisje, prapë fajtori është ai që iku. Ca zagarë që vrapojnë e thonë që Edi Rama është viktimë e publiçistikës së tij, ose nëse një kryeministër sulmon shtypin është normale kjo ndodh edhe në Amerikë etj. Pikë e zezë, as e kanë idenë e Amerikës, mentalitetit të një europiani të lindjes nuk i mjafton qoftë edhe një jetë për të kapërdirë demokracinë e dheut të lirisë.
Nga ana tjetër vetëm tek ne ndodh që i teket qeverisë ose më saktë kryeministrit të marri inisiativën për të bërë një ligj për shpifjen a shtypin pa i lënë platformën bazë njerëzve të medias. Ndryshon puna në një ligj për taksimin a doganat, por në raport me komunikimin është tjetër gjë. Megjithatë gjithë ky debat nxorri në pah një fakt që të gjithë nuk e besojnë por është reali, tmerri që kanë shtetarët shqiptarë, kastat, esnafllëku otoman që drejton këto 30 vjetë vendin tonë nga liria e fjalës. Kur një kryeministër del e thotë publikisht se iks portal i bëri njerëzit të mos shkojnë në spital sepse aty u tha që godina është në rrezik shembje nga shkaku i tërmetit etj., me një fjalë ngjalli panik, është e kollajshme ta vërtetosh se sa i ndjekur është ky iks portal a ky shpifës, ky që panikos njerëzit. Për më tepër kur dihet që ujqërit e shikimit janë dominant në sytë e shqiptarëve, ujqërit si kryeministri a ai kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe shtatë emrat e studiove shto edhe personazhet e telenovelave turke që thuajse 85% e shqiptarëve i dinë përmendësh. Si mund të shkaktojë panik një portal me 5 mijë ndjekës kur 24 orë shqiptarët janë të pushtuar nga ERTV-ja.
Ajo çka rezulton nga ky debat është pikërisht jo cënimi, pasi elefantët nuk ndigjojnë nga mushkonjat, por është urrejtja me nuanca bezdije, është pronësia e shpërndarë e të të drejtës së fjalës. Dhe kjo një shpjegim fakti që ne vimë nga një kulturë diktature ku gjithçka jo vetëm kontrollohej por edhe posedohej. Pra të shpreheshe ishte privilegj dhe pronë private e një grushti njerëzish, është fobia nga liria, mjaft t’i dëgjosh kur thonë për portalet a deri muret personale të fejsbukut se po ngrihet një realitet paralel i të të shprehurit.
Në ditët e sotme tema qëndrore duhej të ishte se si po instalohet me mjetet e demokracisë një neo diktaturë që do i kushtojë Shqipërisë po aq sa diktatura e kaluar, por fatkeqësisht nuk ndodh. Eshtë një vëmendje e zhvendosur suksesshëm nga thelbi që autorët e informalitetit, të propagandës, a regresit tonë të mbijetojnë. Dhe po ja dalin. Shikoni banalitetin e batakçiut, kundërvihet me ironi, mos ma prekni fjalën. E ka me germa të mëdha në murin e tij. Sikur vetëm ai të ketë aftësi dhe dhunti për të folur, sikur vetëm ai di të flasë, të tjerët bezdisin botën. Edhe Enveri thoshte që kushdo ka të drejtën të thotë me germa të mëdha dhe pa frikë atë çfarë mendon. E thoshte dhe e shkruante me gërma të mëdha, parullë sa një pallat pesëkatësh, por nga ana tjetër ta lëronte shtatë breza ku t’i kishe vetëm pse të kapte mërzia në radhën e qumështit. Kësisoj edhe ky, një demagog i dalë hundësh. Ngrihuni e hiqeni qafe se do ta keni në qafë një jetë dhe se një ditë do mallkoni veten siç e mallkuat për Enverin.