Do prishet marrëveshja? Ministri Çuçi tregon se çfarë i pret muxhahedinët e strehuar në Shqipëri
Pas ngjarjes së sotme në kampin MEK në Manzë, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, tha se Shqipëria nuk do ta ndërpresë mbështetjen për muxhahedinët e strehuar në Shqipëri.
“Nuk kemi menduar të prishim marrëveshjen. Nëse ata do të qëndrojnë dhe i mbeten marrëveshjes për të qëndruar për qëllime humanitare, ne do t’i mbrojmë. Marrëveshja do të vazhdojë, por sigurisht duhet të ketë edhe një reflektim nga ata lidhur me sjelljen nga institucionet shqiptare. Sepse me veprimet që bënë sot treguan se nuk janë gati për të zbatuar ligjet në Shqipëri. Ne sigurisht do t’i mbrojmë, por presim që edhe ata të sillen brenda marrëveshjes që ata vetë kanë pranuar”, tha ministri.
I pyetur nga gazetarët se çfarë kanë bërë konkretisht muxhahedinët, Çuçi tha: “Ata kanë aktivitet politik, por kjo gjë sigurisht ka qenë objekt i diskutimeve që kemi pasur në vazhdimësi me ata. Por lidhur me këtë çështje konkrete, është SPAK që duhet të prononcohet”.