Studenti pyet direkt Berishën: Do të mbani përgjegjësi nëse PD humbet në 2025?

Këtë pasdite, Sali Berisha ka zhvilluar një bashkëbisedim online me disa studentë, ku ndër të tjera, është debatur edhe nëse në zgjedhjet parlamentare të 2025, PD-ja do të humbasë.

Studenti pyet Berishën: Kudo ne media dëgjojmë se opozita do të humbë, opozita do të përfundojë me 25 mandate, s’do merrni atë që keni marrë para katër vitesh etj etj. Kemi dëgjuar emra të rinj nga PS, që i dridhen këmbët para sulltanit, lloj e lloj historish. Ne siç ju e dini kemi përballë një makineri propagande, një bankë kriminale, organizata, kriminelë, njerëz që kërcënojnë, nxjerrin armët, e shume e shumë si këto. Por komenti është ku, a do mbani përgjegjësi ju dhe elita nëse PD do humbë edhe kësaj radhe?

Sali Berisha: Edhe njëherë ju siguroj se ajo propagandë është e njëjtë sikur të pranojmë se qytetarët e ndershëm shqiptarë preferojnë krimin, preferojnë vjedhjen, preferojnë zbrazjen e Shqipërisë, preferojnë mashtrimin, plaçkitjen dhe të gjitha këto me radhë. Por unë ju garantoj se shumica dërrmuese e shqiptarëve kurrë nuk janë të këtij mendimi.

Duke thënë këtë, shqiptarët sot përballen me një regjim që ka krijuar një makineri gjigande terrori ndaj zgjedhësve shqiptarë dhe një industri të tërë të blerjes së votës. PD dhe çdo demokrat do të fitojë momentin kur të arrijë të shkatërrojë këtë makineri frike të shtetit mafioz elektoral dhe këtë industri kriminale të blerjes së votës.

Pa asnjë diskutim që kjo është provë e PD, prova kryesore e saj. Ndaj dhe ne do të fillojmë shumë shpejt një lëvizje të pandalshme gjer në realizimin e këtyre dy objektivave. Nuk ka diskutim se PD, Sali Berisha dhe udhëheqja e saj kanë mbajtur dhe do mbajnë përgjegjësi për të gjitha këto.

SHKARKO APP