”Do të vijnë lajme nga presidenti Trump”, Gjekmarkaj: PD kërkon një koalicion sa më të gjerë
Nënkryetari i Kuvendit dhe i PD-së, Agron Gjekmarkaj thotë se Shqipëria ka nevojë për një qeveri të përgjegjshme. Përsa i takon zgjedhjeve të 11 majit dhe nëse opozita duhet të dalë e bashkuar në këto zgjedhje, Gjekmarkaj tha se partitë e vogla duan të rriten duke kafshuar të mëdhenjtë.
Ai tha se PD është e interesuar për një koalicion sa më të gjerë. “Mendoj se kemi raporte korrekte me secilin nga aleatët tanë, por për terma konkrete të bashkëpunimit, do të jetë kreu i PD-së, Sali Berisha që do të marrë vendimet, ka treguar se merr vendimet e duhura, dhe besoj se të tilla do të jenë edhe këto”, tha Gjekmarkaj.
Për të kjo forcë politike ka mbështetur hapur Presidentin e zgjedhur amerikan. Në këtë kontekst, Gjekmarkaj tha se shpresonte se do të vinin lajme për shqyrtimin e ‘non grata-s’ të dhënë nga administrata Blinken. Sipas Gjekmarkaj, ky vendim nuk ka bindur, dhe Sali Berisha duhet të marrë atë që i takon.
“Marco Rubio është shprehur kohë më parë kundër mënyrës se si janë dizenjuar disa lider konservatorë ‘non grata’. Shpresojmë që si Sekretar i Shtetit të rishihen këto vendime”, tha Gjekmarkaj.