”Do veprojmë para diktaturës së re që sundon sot?”, Berisha zbulon moton e protestës më 20 shkurt
Nga dritarja e banesës ku qëndron në masën e ”arrest shtëpie” që prej 30 dhjetorit 2023, Sali Berisha për mbështetësit që shkojnë çdo mbrëmje poshtë pallatit, foli për protestën e 20 shkurtit. Teksa pyet qytetarët nëse do të veprojnë para diktaturës së re që sundon sot Shqipërinë, Berisha zbuloi edhe moton e protestës. ”A do të veprojmë ne si popujt evropiane. Këtë po presin të shohin popujt e lirë nga ne dhe përgjigje për këtë do të japë populli opozitar në datën 20 shkurt, ditën e fitores. Me 20 Shkurt motoja jonë nuk do të jetë më ”E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, motoja jonë do të jetë ”Do të bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa””,-tha Berisha.
Pjesë nga fjala e Berishës
Çfarë na mbetet ne, çfarë do të bëjmë ne, këtë po presin ndërkombëtarët, këtë po presin njerëzit e lirë në Europë dhe botë. A do të veprojmë ne si njerëz të lirë, evropianë, para diktaturës së re që sundon sot Shqipërinë, apo do të veprojmë e sillemi si populli i Koresë së Veriut. Mos harroni se kur në Europë lulëzonte demokracia ne kaluam 45 vite të shtypur. Më pas u zgjuam dhe thirrëm se e duam Shqipërinë si gjithë Europa.
Por a do të veprojmë ne si popujt evropiane. Këtë po presin të shohin popujt e lirë nga ne dhe përgjigje për këtë do të japë populli opozitar në datën 20 shkurt, ditën e fitores. Me 20 Shkurt motoja jonë nuk do të jetë më ”E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, motoja jonë do të jetë ”Do të bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”.
Si do ta bëjmë këtë? Përgjigja është e thjeshtë. Sot rrugët kryesore të kryeqyteteve të Europës janë të paralizuara nga revoltat e fermerëve dhe kjo nuk është e pazakontë e Europës së lirë, por është pjesë e traditës së saj të lirisë dhe qytetarisë.
Sot janë fermerët, dje ishin jelekvedhët, ishin studentët dhe kështu është çdo vit apo çdo 6 muaj. Por për çfarë bëhen këto protesta miq? Për të ulur çmimet, për të ndaluar rritjen e moshës së pensioneve, për të përmirësuar jetën e studentëve. Kauza shumë të drejta. Por kur krahasohen këto me problemet që ka Shqipëria, që kemi ne, këto kauza ngjajnë si thërrime, kur vetë demokracia në Shqipëri është e kërcënuar për vdekje.