Dogjani: Policia dhe familjarët e dinë kush janë vr@sësit
Ish-drejtuesi i Policisë, deputeti i PD-së Asllan Dogjani i prekur nga masakra në Shkodër, akuzoi Policinë për lidhje me krimin. Sipas tij ngjarja e djeshme ishte e paralajmëruar, pasi viktima Arlind Bushati kishte denoncuar para disa ditësh në polici një atentat të dështuar ndaj tij në qendër të qytetit të Shkodrës.
Duke mbështetur deklaratën e Berishës se Policia i ka nxjerrë në pritë viktimat, Dogjani thekson se nëse policia do t’i mbante nën kontroll personat me precedentë penalë, ngjarja e djeshme do të ishte shmangur. Ai thekson se grupet kriminale janë më të fuqishme se shteti dhe janë futur edhe në politikë e biznes. Sipas tij në Shkodër ka territore ku policia nuk hyn dot.
“Unë e kam paralajmëruar që policia po degradon. Policia i ka nxjerrë në pritë. Por fakti që këta grupe kriminale kanë mbështetjen e policisë e drejtuesve nuk kanë frikë dhe guxojnë e lëvizin me armë do të thotë që nëse policia do të ishte në krye të detyrës dhe do mbante nën kontroll personat me precedentë penalë nëse do punonte për zbulimin e ngjarjes nuk do të ishte vrarë Arlind Bushati. Një pjesë e mirë e drejtuesve të policisë kanë dalë në dosjen “Metamorfoza, thonë që ka ministra e kryeministër, prokurorë e gjyqtarë këto duhet t’i bëjë transparent SPAK. nuk duhet policia të fokusohet për të ruajtur karrigen e kryeministrit. Në Shkodër ka territore ku policia nuk futet dot pa lejen e grupeve kriminale. Ka disa lloj krimesh, por Shkodra e ka krimin më të hapur”, u shpreh Dogjani për A2.
Dogjani shkon edhe më tej kur deklaron se Policia dhe familjarët e dinë se kush janë autorët e masakrës së djeshme në Shkodër. ”Kush janë autorët? Kujtoni se nuk i di policia kush janë? Këta grupe kanë organizuar edhe vrasje me pagesë. Edhe për 5 mijë euro të vrasin. Të gjithë ne jemi të rrezikuar, por nuk duhet të mbyllim gojën. Familjarët e dinë kush janë vrasësit edhe policia i di në rrugë operative”.