Dokumenti, 1 vit kryeministër Enver Hoxha arrestoi 1394 studentë

 

Prej vitit 1912 deri më sot, Enver Hoxha ishte kryeministri i 22-të i Shqipërisë. Ai e mbajti këtë detyrë nga 23 tetori 1944 deri më 19 korrik 1954, plot 9 vjet, 9 muaj e 26 ditë. Në librin e tij “Historitë e 33 kryeministrave të Shqipërisë”, gazetari dhe pedagogu Roland Qafoku i jep të njëjtën hapësirë edhe diktatorit shqiptar Enver Hoxha, si edhe drejtuesve të tjerë të shtetit shqiptar. Veçse ai e përdor shumë rrallë përcaktorin “diktator”.

Qafoku merr në shqyrtim vetëm periudhën gjatë së cilës ai kreu detyrën e kryeministrit. E nga sa rezulton, duken si vitet më të zeza të diktaturës. Mijëra të burgosur, të dënuar, të pushkatuar, pasuri të konfiskuara… Ajo çka të bie në sy është goditja e inteligjencës nga ana e Hoxhës, janë me qindra mësuesit, profesorët dhe studentët e arrestuar e burgosur me firmën e tij. E ndërsa numri i burgjeve dhe kampeve shtohej, Enver Hoxha forconte pushtetin e tij, shkruante kujtime dhe shtonte komoditetin për familjen e tij…

Enver Hoxha, kryeministri i 22-të i Shqipërisë

Ato që kanë ndodhur në 10 vitet e Enver Hoxhës kryeministër do të bënin edhe Hitlerin të skuqej. E shndërruan atë në një diktator që as Shqipëria e as Europa nuk kishte parë. Hoxha instaloi regjimin më të egër diktatorial që ka parë jo vetëm vendi ynë, por edhe Europa, në bilancin e të cilit numërohen 100 mijë shqiptarë të pushkatuar, dënuar me burg, internuar dhe përndjekur, në një popullsi që në 1944-n ishte 1 milion banorë dhe në 1990-n ishte 3.2 milionë banorë.

Enver Hoxha në 1 vit arrestoi 1394 studentë

Terrori që kishte përfshirë gjithë Shqipërinë kuptohet me disa shifra me shumë kuptim. Vetëm në vitin 1947, në të gjitha burgjet e vendit kishte 1449 të burgosur. Prej këtyre ishin 836 mësues, 433 profesorë dhe habia është se mes tyre ishin edhe 1394 studentë! Vetëm në maj të vitit 1947 u arrestuan 129 studentë që vazhdonin studimet jashtë Shqipërisë, se në Shqipëri nuk kishte universitet.

Kryeministrat e pushkatuar nga Enver Hoxha

Maliq Bushati u pushkatua si kriminel lufte. Kostaq Kotta u rrëmbye në Greqi dhe vdiq nën tortura në Burgun e Burrelit. Ibrahim Biçaku u dënua në fillim me vdekje dhe pas asaj që u quajt tolerim, dënimi iu bë 17 vjet burg dhe vdiq pastrues i banjave publike. Mehmet Shehu ishte bashkëpunëtori më i afërt, pasardhës në detyrë dhe cilësohej njeriu më besnik, u gjet i vdekur në dhomën e gjumit dhe për të cilin ka dyshime të forta se është vrarë në një komplot. Janë 4 kryeministra për jetët e të cilëve, në një formë apo tjetër, akuzohet direkt Enver Hoxha. Por, prisni!

Në listën e hartuar nga Hoxha si kriminelë të luftës dhe nëpërmjet së cilës u kërkonte shteteve të huaja t’i kthenin në Shqipëri ishin edhe ish-kryeministrat: Ahmet Zogu, Shefqet Vërlaci, Mustafa Kruja, Rexhep Mitrovica, Fiqiri Dine, Mehdi Frashëri, Eqrem Libohova. Enver Hoxha është personazhi që gjatë ushtrimit të detyrës së kryeministrit u vranë 3 kryeministra dhe u kërkua vdekja për 7 të tjerë, pa llogaritur këtu vitet e burgut për të tjerë. Dukej se për Hoxhën viktima të sigurta ishin ata që dikur e kishin ndihmuar atë më shumë. Ibrahim Biçaku e kishte punësuar si shitës në firmën e tij “Flora” dhe Eqrem Libohova i kishte dhënë bursën për të studiuar në Francë, e futi në punë në konsullatën tonë në Bruksel dhe e punësoi në Liceun e Korçës. E megjithatë, këta të dy ishin viktimat më simbolike të Hoxhës.

Krahasimi me Hitlerin

Më 1 mars 1945, gjykata speciale për krimet e luftës, dha 17 dënime me vdekje, 8 të përjetshme, 10 me 30 vjet burg dhe 23 persona të tjerë me 2 deri në 20 vjet burg. Por çfarë kishin bërë dhe cilat ishin pasojat e këtyre të dënuarve me vdekje, me burg? Për të kuptuar këtë mjafton të kujtojmë se Gjyqi i Nurembergut në Gjermani dha 10 dënime me vdekje për drejtues të lartë të Reihut të Tretë të Hitlerit. A mund të krahasohen me dënimet me vdekje në Shqipëri?

SHKARKO APP