Doli pozitiv me koronavirus, kreu i Dhomës së Tregtisë jep dy lajme të mira
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, dha lajmin se u infektua javë më parë me koronavirus. Tashmë përmes një mesazhi në rrjete sociale, ai thotë se e ka kaluar momentin e vështirë.
Jaka falenderoi fillimisht të gjithë ata që treguan interes për shëndetin e tij këto ditë, ndërkohë që sipas tij “po punohet për t’i paraqitur qeverisë në ditët në vijim një platformë ekonomike në mënyrë që sipërmarrja shqiptare të ridalë nga ngërçi ekonomik”.
Statusi i plotë
Duke ju falenderuar të gjithëve për interesimin e treguar, dëshiroj t’u informoj se gëzoj shëndet të plotë!
Në pamundësi për t’ju përgjigjur të gjithë mesazheve të miqve të mi në facebook, gjej rastin të shpreh mirënjohje dhe falenderim për ata që më kanë dërguar mesazhe urimi gjatë gjithë periudhës që kalova!
Ju bëj thirrje si qytetar që të vazhdojmë të tregojmë kujdes si dhe të respektojmë masat e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë.
Në cilësinë e Kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, ju bëj me dije se po punojmë për t’i paraqitur qeverisë në ditët në vijim një platformë ekonomike në mënyrë që sipërmarrja shqiptare të ridalë nga ngërçi ekonomik.
Mirënjohje, Nikolin Jaka.