Donacionet për rindërtimin, Yuri Kim: Transparenca dhe përgjegjësia janë thelbësore
Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, thotë se transparenca dhe përgjegjësia për fondet dhe donacionet për procesin e rindërtimit të zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit janë thelbësore.
Kjo është arsyeja, nënvizon ajo, pse donacioni amerikan do të krijojë një Akademi të re të Transparencës për të mbështetur qeverisjen transparente, qeverisjen e përgjegjshme ndaj qytetarëve, trajnimet kundër korrupsionit dhe reformën gjyqësore.
Reagimi i Kim në rrjetet sociale vjen në mbështetje të deklaratës së diplomatit të BE-së Luigi Soreca.
“Konferenca e Donatorëve në Bruksel ishte një sukses i madh. Tani është e rëndësishme për të siguruar mekanizma të qartë, efikas, pjesëmarrës dhe transparent të financimit që lejojnë përgjegjshmërinë për fondet. Të krijojë hapësirë për të gjithë donatorët për të ekzekutuar zotimin e tyre. 9 parimet do ta udhëheqin këtë punë”, tha Soreca.