Donfried: Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi pengon synimet ruse për destabilizimin e Ballkanit

Ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit për çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, tha të hënën në Prishtinë se Kosova duhet të marrë vendin që i takon në strukturat euro-atlantike, ndërsa bëri thirrje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë si rrugë për t’iu kundërvënë përpjekjeve të Rusisë për destabilizimin e Ballkanit.

Zonja Donfried po qëndron në Kosovë në kuadër të një vizite pesëditëshe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Unë jam këtu në një kohë sfiduese, një moment përcaktues për Evropën dhe Ballkanin Perëndimor në veçanti. Lufta e paprovokuar, e pajustifikuar dhe brutale e Rusisë kundër Ukrainës ka treguar se sa e rëndësishme dhe urgjente është puna e vazhdueshme për t’u siguruar që Kosova dhe fqinjët e saj të vazhdojnë reformat e nevojshme për konsolidimin e tyre demokratik dhe për integrimin e tyre në institucionet evropiane dhe euroatlantike. E fituar me mund, ne nuk duhet ta marrim paqen dhe përparimin e Kosovës si të mirëqenë. Të gjithë ne duhet të luftojmë çdo ditë që të punojmë për qytetarët. Kjo nënkupton avancimin e përpjekjeve për të siguruar që Kosova të zërë vendin e saj të merituar në institucionet evropiane dhe euroatlantike, duke përfshirë edhe marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të përqendruar në njohjen e ndërsjellë”, tha ajo.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ndihmës sekretarja Donfried, e cila takoi presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, tha se “satus quo-ja” është e paqëndrueshme dhe jo vetëm që pengon të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë, por është përfitim për Kremlinin.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Rusia dëshiron të rrënojë unitetin dhe konsolidimin demokratik në Ballkanin Perëndimor, duke u siguruar që ju dhe fqinjët tuaj nuk mund dhe nuk do të integroheni në institucionet evropiane dhe euroatlantike. (Rusia) beson se një Ballkan më i fortë, më i begatë dhe demokratik, është një kërcënim për ndikimin e saj. Marrëdhëniet më të mira ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kërcënojnë aftësinë e Rusisë për të nxitur ndarje dhe frikë. Mënyra më e mirë për t’iu kundërvënë përpjekjeve të Kremlinit për të destabilizuar rajonin është e thjesht, Kosova dhe Serbia duhet të bashkohen dhe të riangazhohen urgjentisht në dialogun e lehtësuar nga BE-ja me mbështetjen e fuqishme të SHBA-së”, tha ajo.

Agresioni rus në Ukrainë ka nxitur shqetësime për ndikimet e konfliktit edhe në Ballkanin Perëndimor.

“E di që shumë në Kosovë janë të brengosur për sigurinë e Kosovës në këtë kohë të pasigurt. Unë dua t’ju siguroj se angazhimi i Shteteve të Bashkuara dhe ai i aleatëve mbetet i hekurt. KFOR-i, misioni më i madh i NATO-s, është stacioni më i dukshëm i përkushtimit tonë të vazhdueshëm për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Kosovës”, tha ajo.

Ndihmës sekretarja amerikane vlerësoi udhëheqjen e Kosovës për strehimin e refugjatëve afganë dhe gatishmërinë port të strehuar edhe refugjatë nga Ukraina.

“Kosova i ka treguar botës se kur njerëzit kanë nevojë, dyert e saj janë të hapura”, tha zonja Donfried, e cila në një konferencë me gazetarë foli edhe për ish-Sekretaren amerikane të shtetit, Madeline Albright, që vdiq më 23 mars.

“Kohëve të fundit kemi humbur një prej avokateve më të forta amerikane të pavarësisë e sovranitetit të Kosovës, zonjën Madeline Albright. Ajo ishte tepër e përkushtuar për Kosovën dhe të ardhmen e Kosovës”, tha ajo duke nënvizuar se përkushtimi i zonjës Albright ndaj Kosovës, vazhdon të jetë i fuqishëm në Shtetet e Bashkuara.

 

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?