Dosja, dy mjekë fajtorë për vdekjen e bashkëshortes së Alban Hoxhës

Vdekja e bashkëshortes së portierit të Partizanit dhe të ekipit tonë kombëtar, Alban Hoxha, ka ardhur si pasojë e neglizhencës së mjekëve të Maternitetit “Koço Glozheni”. Prokuroria e Tiranës, referuar akt-ekspertimit Mjeko-Ligjor ka ngritur akuzën e “mjekimit të pakujdesshëm” për anestezistën Elona Burba dhe mjekun Obsteter-gjinekolog Petrit Rexhepi. Rezulton se mjeku Petrit Rexhepi rezulton të jetë arrestuar në vitin 2009 nën akuzën e “korrupsionit”, për të cilën edhe është dërguar në gjyq. Në qershor të 2012 dosja ndaj tij është pushuar nga Gjykata e Tiranës. Të dy mjekët ndodhen në gjyq me cilësinë e të pandehurve, pasi nga neglizhenca e tyre ka gjetur vdekjen shtetasja Dorjana Haka. Në dosjen e përpiluar nga hetuesit e çështjes thuhet se mjeku Petrit Rexhepi dhe anestezistja Elona Burba nuk kanë marrë masa të nevojshme para dhe pas operimit për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të 26 vjeçares Dorjana Haka, bashkëshortes së portierit të Partizanit Alban Hoxha. Dorjana Haka, 15 ditë pas lindjes, ka gjetur vdekjen.  Sipas akuzës, referuar akt-ekspertimit të mjekësisë ligjore, janë konstatuar 12 shkelje të dy mjekëve tashmë të pandehur, të kryera para dhe pas operacionit të lindjes së fëmijës nga bashkëshortja e portierit Alban Hoxha.  Në dosje thuhet se mjekët nuk i kanë bërë analizat e mjekësore shtetases Dorjana Haka, para se ajo të futet në operacionin e lindjes, të nevojshme këto për tu bërë në çdo rast para operacionit. Por mjekët e pandehur nuk kanë kryer asnjë ekzaminim te kardiologu para se pacientja t’i drejtohej sallës së operimit dhe asnjë rekomandim apo konsultë prej tyre nuk është kryer, gjatë vizitave.  Përveç këtyre, në dosje thuhet se mjekët nuk janë treguar të kujdesshëm edhe pas operacionit për të bërë ekzaminimet e nevojshme me qëllim për të mënjanuar gjakderdhjen në tru apo problemet që ajo kishte hasur me zemrën. Këto dy diagnoza, ajo e gjakderdhjes në tru dhe ataku kardiak i zemrës, për të cilat nuk u morr ndonjë mjekim, rezulton nga hetimet se i sollën vdekjen rreth dy javë pas lindjes 26 vjeçares Dorjana Haka. 

SHKARKO APP