Dosja ”Gërdeci” kalon për gjykim, Fatmir Mediu zyrtarisht i pandehur
Gjykata e Posaçme ka vendosur që të kalojë për gjykim ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediun për dosjen Gërdeci. Seanca paraprake u zhvillua për të vendosur nëse çështja e Gërdecit do të kalojë ose jo për gjykim.
Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorimi detyre në bazë të Kodit Penal dhe shpërdorim detyre në bazë të Kodit Ushtarak. Procesi hetimor i zhvilluar në ngarkim të Mediut është shoqëruar me kundërshtim nga avokatët e tij të cilët e kanë konsideruar këtë një proces i cili nuk mund të zhvillohet për shkak të parashkrimit të veprave penale dhe kohës së gjatë të kaluar dhe duke pretenduar kështu se i gjithë procesi ka nisur politikisht.
Ishte data 15 mars (e shtunë), 2008 rreth orës 12:05, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një “fabrikë” për demontimin e armëve humbën jetën të paktën 26 persona, punëtorë të kësaj fabrike “vdekjeje” e fëmijë të zonës.
Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa që shkatërroi 3000 banesa e biznese. Një “betejë” e gjatë dhe e ashpër po zhvillohet mes familjeve të viktimave, qeverisë dhe drejtësisë, me bazë akuzat e ndërsjellta mes palëve.