Dosja “McGonigal”, akuza nga ish-kryeministri Berisha: Rama i futi thikë pas shpine SHBA-së

Gjatë takimit me kandidatët për kryetarë bashkie për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, Sali Berisha foli edhe për çështjen “McGonigal”. Ai tha se kryeministri Edi Rama i ka futur thikë pas shpine SHBA-së në fushën e sigurisë. Po ashtu Berisha pohoi edhe se Rama i ka bërë një dëm shumë të madh SHBA-së.

“Ky është kryeministri që pastaj shkon e korrupton, blen, njeriun ndër më kryesorët në agjencinë e zbulimit për sigurinë e SHBA. Dhe ka krijuar kjo një skandal jashtë imagjinatës. Ai ndryhet në Surrel dhe përpiqet ta kalojë, por nuk kalohet kjo, është e pakalueshme.

Çdo ditë mediat e mëdha amerikane e trajtojnë këtë akt të turpshëm, të papërgjegjshëm. Në një aspekt ky është një akt armiqësor ndaj SHBA-së në fushën më sensitive, fushën numër 1, në fushën e sigurisë. Për atë vend dhe për çdo vend, fusha e sigurisë është fusha e parë më e rëndësishme, me distancë nga të gjitha të tjerat.

Ky pikërisht në këtë fushë i fut një thikë pas shpine SHBA-së. Por nëse i fut thikë pas shpine SHBA-së që janë udhëheqësi i NATO-s, që janë përgjegjësi kryesor për paqen, stabilitetin dhe mbrojtjen e vendeve të lira, ti këtë akt e ke kryer jo vetëm ndaj atyre, por edhe ndaj NATO-s dhe vendeve të lira. Dhe kush e bën këtë, e bën kryeministri i Shqipërisë, një vend anëtar i NATO-s. Nuk e bën Lukashenko këtë, por e bën Tirana e Edi Ramës. Nuk ka faqe të zezë më të madhe se kjo, nuk ka turp më të madh e krim më të shëmtuar”.

SHKARKO APP