Dosja ”McGonigal”, Flamur Noka: Rama ka nën kontroll drejtësinë
Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka thotë se kryeministri Edi Rama ka nën kontroll drejtësinë dhe Prokurorinë Speciale. Duke komentuar dosjen “McGonigal”, Noka nënvizon se 35 deputetë firmosin për krijimin e një komisioni parlamentar, ai krijohet automatikisht, por komisioni për hetimin e skandalit me ish-zyrtarit të FBI, nuk u lejuar me urdhër të kryeministrit.
“Në Shqipëri duhet një komision hetimor. Me Kushtetutë kur firmosin 35 deputetë, automatikisht krijohet. Rama tha nuk ka komision, kush është ai që të shkelë Kushtetutën? Kushtetuta thotë miratohet automatikisht, jo diskutohet.
Je ti që urdhëron në kundërshtim me Kushtetutën? DASH e Kongresi bashkë me FBI po hetojnë, këtu ky thotë SPAK nuk më heton dot mua. Kjo tregon që këtu kemi monizëm se sulltan Surreli ka edhe drejtësinë edhe Parlamentin edhe mediat.
A u fol kaq shumë për një drejtësi të re të pavarur? Po tani që e urdhëron Rama sa e pavarur është? SPAK është bërë kaps, është mbyllur, drejtësi është kjo? Kjo drejtësi që burgos për një arkë peshk Rovena Vodën, nuk guxon të hetojë Veliajn për inceneratorët e Ramën për inceneratorët dhe çështjen McGonigal”, tha ai.