Dosja: Si e rrahu Vladimir Gjuta policin për gjobën

Gjuta dyshohet si porositësi i bombës në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm dhe është nën hetim për vepra me qëllime terroriste, që parashikon një dënim prej 30 vjetësh burg. Për goditjen e policit Gjuta qëndroi për pak kohë në qeli, pasi u lirua me vendim gjykate.

Vladimir Gjuta, i akuzuari kryesor për bombën në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm po përballet me një tjetër akuzë në gjykatë. Ai akuzohet nga prokuroria për goditjen e një punonjësi policie, ngjarje e ndodhur në fund të vitit të shkuar.

Për këtë ngjarje fillimisht ndaj Gjutës gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”, por vendimi u ndryshua dhe i dyshuari u la në arrest shtëpie deri ditën kur ai u shpall në kërkim për vepra me qëllime terroriste.

Pak ditë më parë prokuroria kërkoi dënimin e Gjutës me tre vjet burg për akuzën e goditjes për shkak të detyrës, pasi bashkë me dy persona të tjerë kanë dhunuar një punonjës policie, i cili kishte tentuar të gjobiste automjetin në pronësi të të dyshuarit.

Sipas prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 6 dhjetor të vitit të shkuar, ku në shoqërinë e dy personave ende të paidentifikuar kanë kundërshtuar me dhunë punonjësin e qarkullimit rrugor A.V.

“Konkretisht, punonjësi i policisë ka qenë i planifikuar me shërbim në rrugën ‘Dervish Hima’ prej orës 06:30. Rreth orës 12:00 është afruar te vendi i quajtur rruga “Dervish Hima”, përballë vila “Gjuta” dhe ka filluar që të plotësojë një procesverbal për kundravajtje të mjetit me targa AA xxx JZ, që i përket shtetasit Vladimir Gjuta. Në këtë moment, sipas kallëzimit të punonjësit të policisë, nga kazinoja përballë kanë dalë dy persona dhe kanë filluar ta ofendojnë me fjalë fyese dhe kërcënuese. Në këtë kohë punonjësi i policisë ka njoftuar sallën operative për t’i dërguar përforcime me shërbime të tjera policie”, thotë prokuroria.

Pas rreth pesë minutash, nga lokali kanë dalë përsëri dy personat e mëparshëm dhe një i tretë dhe kanë vazhduar që ta fyejnë dhe shajnë.

Punonjësi i policisë A.V u ka kërkuar që të mos largoheshin, pasi kishte njoftuar punonjës të tjerë të policisë, mirëpo në këtë moment njëri prej tre personave e ka goditur me grusht duke e rrëzuar për tokë dhe më pas kanë filluar ta godasin dhe dy personat e tjerë.

“Gjatë kohës që këta persona po e godisnin, aty ka shkuar patrulla e policisë, nga ku është bërë e mundur ndërprerja e goditjeve dhe dy nga personat janë larguar me vrap. Gjatë kohës së incidentit ka pasur edhe persona të tjerë që kanë parë ngjarjen, por nuk janë identifikuar. Në lidhje me ngjarjen janë kryer shoqërime të personave që dyshohen për këtë vepër penale, ku dhe iu janë marrë deklarime shtetasve Vladimir Gjuta”, – thuhet në pretencën e prokurorisë.

Por Gjuta, i pyetur për këtë çështje ka mohuar dhunën ndaj punonjësit të policisë, duke dhënë një variant tjetër për ngjarjen. Sipas tij, rreth orës 12:30 ka qenë bashkë me shtetasin A.M pranë një kazinoje në rrugën "Dervish Hima”.

Ai ka lënë automjetin tip “Benz” përballë kazinosë dhe pas pak çastesh ka shkuar një polic i qarkullimit rrugor i cili ka pyetur për automjetin, ndërsa të dyshuarit i kanë thënë se do të lëviznin pas pesë minutash.

“Vladimiri dhe A.M janë futur në lokal dhe pas pesë minutash kanë dalë për t’u larguar. Kur kanë shkuar te makina, polici i qarkullimit i ka njoftuar që të mos largohen, pasi ai kishte njoftuar policinë e rendit për parkimin e gabuar të makinës dhe ata duhet të prisnin. Në këtë kohë A.M ka kërkuar të hynte në makinë, por polici nuk e ka lejuar dhe për ta penguar të hynte në makinë, e ka shtyrë atë. Të njëjtin veprim ka bërë dhe A.M duke e shtyrë policin dhe në këtë kohë polici i qarkullimit ka nxjerrë radion e policisë dhe e ka qëlluar atë në kokë. Më pas janë përballur me veprime fizike ndaj njëri-tjetrit A.M dhe polici i qarkullimit rrugor, ndërsa në atë kohë ka ndërhyrë shtetasi Vladimir Gjuta që t’i ndajë”, thotë në dëshminë e tij i pandehuri Gjuta.

Por, pavarësisht këtyre pretendimeve, prokuroria ka kërkuar dënimin e Gjutës me 3 vjet burg për akuzën e “goditjes për shkak të detyrës”, kryer në bashkëpunim.

Aktualisht, Vladimir Gjuta po hetohet edhe nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për akuzën e “akteve terroriste”, vepër penale që parashikon një dënim prej 30 vjetësh burgim.

SHKARKO APP