Dosja ”Tahiri”/Bardhi: Të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë ose të shkojë në burg me Ramën

Ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, nga e premtja nuk është më i dënuar por i pandehur. Gjykata e Apelit rrëzoi dënimin e Shkallës së Parë dhe rikthen çështjen për gjykim. Gjyqtari Dhimitër Lara ka vendosur ta kthejë për rigjykim në Shkallën e Parë të Gjykatës së Posaçme. Trupa gjykuese u shpreh se nuk ka asnjë provë për shpërdorim detyre, për të cilën u dënua Tahiri. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, thotë se në këtë rast nuk u dha drejtësi. Mes të tjerash demokrati shtoi se ish-ministri duhet të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë, ose të shkojë bashkë me kryeministrin Edi Rama në burg.

Dua të sjell tani, në vëmendje vendimin për ish-Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. U prish vendimi i shkallës së parë, çka do të thotë që kthehet nga fillimi rishqyrtimi për çështjen “Tahiri”. Si e patë këtë vendim për drejtësinë shqiptare?

Është një vendim që nuk dha drejtësi. Faktet dhe provat për ministrin kampion të Edi Ramës, janë publike. Zoti Tahiri do të duhet të ishte dënuar prej shumë kohësh dhe do të duhet të ishte duke vuajtur dënimin për gjithçka bëri nën urdhrat dhe porosinë e veçantë të Edi Ramës, gjatë kohës që ishte Ministër i Brendshëm. Veprime të kundraligjshme, kriminale, të cilat, edhe sot e kësaj dite, kanë pasojat e tyre në shoqërinë shqiptare. Sot, Shqipëria është vendi që tregohet me gisht si furnizuesi më i madh i kanabisit në Europë dhe është vend tranzit për drogat e forta. Kjo është meritë e ministrit kampion të Edi Ramës dhe qeverisë së Edi Ramës.

Zoti Tahiri vijon të thotë me forcë se nuk ka asnjë faj, por mban mbi supe koston politike për detyrat që ka mbajtur.

Nëse zoti Tahiri me këtë shprehje nënkupton se ka zbatuar porosinë politike të Ramës për të lejuar kanabizimin e vendit, Kodi i Procedurës Penale i njeh atij mundësinë për t’u bërë bashkëpunëtor i drejtësisë dhe kjo do të ishte një gje e ndershme në shërbim të qytetarëve. Të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë dhe të tregojë kush e ka urdhëruar, si është urdhëruar dhe kush ia ka vënë mbi tavolinë projektin për të kanabizuar Shqipërinë dhe për ta kthyer në prodhuesin më të madh të kanabisit në Europë.

SHKARKO APP