Dosja tërmeti në Tiranë. Burg për 14 persona, mes tyre dhe zyrtarë
Prokuroria ka kërkuar masën “arrest me burg” për grupin e parë prej 14 personash, nga 31 të arrestuarit për dëmet e tërmetit të 26 nëntorit. Mes tyre janë edhe Fatbardh Plaku ish-kryetari i komunës se Farkës dhe Besnik Fuç, ish-kryetari i komunës Kashar. Organi i akuzës ka kërkuar “arrest në shtëpi” për Faik Fejzon. Në mesin e 31 personave të arrestuar ka zyrtarë dhe ish-zyrtarë në Tiranë, Farkë, Vorë dhe Kashar, të dyshuar se kanë abuzuar me detyrën dhe kanë ndërhyrë në strukturën e ndërtimeve.
Prokuroria është shprehur se ka mungesë dokumentacioni. Sa i përket shkeljeve që kanë kryer sipas prokurorisë funksionarët e komunave kanë miratuar leje ndërtimi në mungesë të ligjit dhe në mungesë dokumentacioni teknik. Mungon studimi sizmik që nuk është gjetur në asnjjë nga këto njësi administrative ku janë zhvilluar hetimet.
Prokuroria është shprehur se numri i të ndaluarve pritet që të rritet, pasi hetimet janë duke vazhduar. Sa i përket 6 personave të cilët janë larguar nga vendi, organi i akuzës preferon t’i mbajë sekret të dhënat. Dyshohet për dekonspirim të mundshëm, por zyrtarisht nga ana e prokurorisë nuk pranohet një fakt i tillë.