Dosjet e komunizimit, shoqëria civile bën gati ligjin
“Atë që tha Kryeministri para dy ditësh e quaj një shenjë të mirë. Shpresoj të paktën të ketë në Kuvend, sidomos në mazhorancë e cila është më e rëndësishme tani për të vendosur për fatin e ligjeve, të ketë njerëz sa më të sinqertë dhe të arsyeshëm dhe uroj që ky ligj të marrë një rrugë të mirë.
Aktualisht po punojmë me deputetë, kryesisht është zonja Mesila Doda e opozitës, por është për mendimin tim një nga luftëtaret politike më konseguente në lidhje me çështjen e lustracionit gjithashtu dhe zoti Shpëtim Idrizi, të cilët janë personat që do ta përçojnë këtë, do ta çojnë në parlament dhe do luftojnë për këtë”tha Elsa Ballauri.
Por si do të arrihet hapja e dosjeve?
“Dosjet do të bëhen të aksesueshme për qytetarët. Dmth qytetarët do të shohin dosjen e tyre dhe vetëm dosjen e tyre, e cila nuk do të bëhet publike. Personat që hynë në politikën shqiptare kanë një domosdoshmëri që të kalojnë nëpërmjet një filtri, do të shihet se çfarë bashkëpunimi kanë pasur përmes dosjeve.
Nëse kemi të bëjmë me njërëz të cilët janë të kompromentuar me të kaluarën, ligji nuk është se i ndalon ata, këtu ka qenë edhe problemi i madh antikushtetues që ka dalë përmes ligjeve të tjera të bëra deri tani, ligji nuk i ndalon, ama i ndalon moralisht. Dosjet janë në funksion dhe të një lustracioni”shpjegoi Ballauri.
Deri më tani përpjekjet për të bërë transparencën e dosjeve të sigurimit nuk kanë munguar, por barrierë thuajse gjithmonë ka qenë politika.