Dossier/ Si u eleminuan tregtarët nga jeta ekonomike e vendit në vitet 1944-1953!
Nga Kreshnik KUÇAJ/SCAN
Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, në listën e ndryshimeve ku u përfshi Shqipëria, ishte edhe ndryshimi i modelit ekonomik.
Si rrjedhojë e orientimit dhe e ideologjisë së forcës që erdhi në pushtet, ekonomia shqiptare u përfshi në një proces përmbysës, duke kaluar nga ekonomia e tregut në ekonominë e centralizuar.
Ky proces i përmbysjes, në pjesën më të madhe të tij u shoqërua nga dhuna dhe në fund solli jo vetëm përmbysjen e modelit ekonomik por edhe goditjen e ashpër e persekutimin e disa kategorive të shoqërisë, si tregtarët apo pronarët.
Faza e parë/ Tatimi i Jashtëzakonshëm, konfiskimet dhe shtetëzimet masive
Tregtarët, pronarët dhe të pasurit u konsideruan në atë periudhë si klasa e përmbysur dhe në këtë kuadër u zhvillua dhe ajo që u emërtua si lufta e klasave.
Ky proces nisi me 15 dhjetor 1944 me konfiskimin e pasurive të atyre që cilësoheshin si armiq të pushtetit të ri dhe të pasurive të shteteve të huaja. Po ashtu, u vendos në kontroll shtetëror kapitali privat nëpërmjet komisarëve, u shtëtëzua Banka Kombëtare, u shtetëzuan objektet e industrisë dhe minierat, u vendos monopoli shtetëror mbi tregtinë e jashtme dhe në tregtinë me shumicë, u aplikua Reforma Agrare etj.
Me anën e shtetëzimeve pa shpërblim u bënë shtetëror 163 ndërmarrje industriale, 100 mijë kokë bagëti që iu morën fshatarëve dhe atyre që konsideroheshin pronarë të pasur ndërsa 172 mijë e 659 hektarë tokë ara iu morën pronarëve dhe iu rishpërndanë (përkohësisht) fshatarëve të varfër dhe pa tokë.
Veprimi më i fortë që goditi më shumë të pasurit ishte ai për tregtarët me tatimin e jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës që solli edhe likujdimin e tyre nga fusha ekonomike.
Faza e dytë/ Bllokimi i lëndës së parë, i kredive dhe çmimet detyruese
Faza e dytë e procesit ishte ajo që ndodhi në vitet 1948-1953. Kjo fazë nis në një periudhë kur Shqipëria kishte prishur marrëdhëniet me Jugosllavinë me të cilën kishte pasur një fazë bashkëpunimi të fortë ekonomik por që në fund kishte rezultuar me një dështim me pasoja të rënda për ekonominë shqiptare.
Kjo fazë e re, që në fakt solli zhdukjen e klasës së tregtarëve dhe të pronarëve, u cilësua si përballje mes ekonomisë së tregut dhe shtetit.
Në këtë periudhë, në sektorin prodhues të ekonomisë vepronin 1889 dyqane private e disa punishte të cilat merreshin kryesisht me prodhimin e sendeve të konsumit. Në vitin 1951 tregtia private në të gjithë vendin kishte pasur një qarkullim mallrash prej 465 milion lekësh.
Pas procesit të parë të shtetëzimit masiv, ndaj tregtarëve në vend nis një fazë e re izolimi. Këta të fundit ishin lejuar të shisnin sende vetëm me pakicë ne treg, me qëllim që të kompensoheshin mungesat në sektorët ku ekonomia shtetërore nuk arrinte të përmbushte kërkesat e popullsisë konsumatore.
Pengesa e parë që u bë ndaj tregtarëve ishte ndalimi i furnizimit me lëndë të parë, përmes vendosjes së monopolit shtetëror për disa mallra konsumi si dhe ndalimi i marrjes së punëtorëve me pagesë. Gjithashtu u përcaktuan çmime tavan për produktet që ata shisnin, pra çmime detyruese që nuk lejonin shumë fitim. Nga ana tjetër, për tregtarët privatë u ndalua dhënia e kredisë nga banka e shtetit duke u pakësuar në këtë mënyrë rezervat monetare që ata kishin.
Këtij kufizimi veç të tjerave i shërbyen sidomos politika tatimore e shtetit dhe sistemi i grumbullimit të detyrueshëm nga shteti të tepricave të prodhimeve bujqësore.
Kjo çështje trajtohet gjerësisht në revistën Studime Historike të vitit 1982 në studimin me titull “Lufta për kufizimin ekonomik të elementeve kapitalistë” me autor Turhan Shilegu.
Në studim evidentohet se tregtarët u ndaluan që të merreshin me disa lloje aktivitetesh nga të cilat ata i nxirrnin fitimet me të mëdha.
“Urdhëresat e qeverisë për grumbullimin e detyrueshëm nga ndërmarrjet ekonomike shtetërore tësendeve ushqimore si drithi, mishi etj, të lëndëve të para kryesore si lekurët, leshi, pambuku, etj bënin që elementeve kapitaliste t’u pakësoheshin mundësitë e blerjes për rishitje me fitime.
Madje edhe sasitë e vogla të këtyre prodhimeve që elementet kapitalistë blinin në tregun e lirë nga tepricat e fshatarëve shteti i detyronte t’i shisnin me çmime të arsyeshme.
Politika e çmimeve të pushtetit popullor ishte një masë e rëndësishme për kufizimin e spekulimeve dhe të pasurimit të mëtejshëm të elementeve kapitalistë. Ajo kufizonte edhe lindjen e elementeve të rinj kapitalistrë në radhët e matrapazëve dhe tregtarëve” shkruhet në studim.
Autori përmend urdhëresën e Ministrisë së Tregtisë nr. 38 datë 31 gusht 1949 ku u vendos rregulli i pazareve të tregut privat dhe u ndalua blerja e shitja e prodhimeve bujqësore nga elemente kapitalistë.
Lejet e profesionit 10 mijë lekë dhe shtetëzimi i dyqaneve
Në këtë mënyrë, u detyruan të gjithë tregtarët që shisnin në pazare me dyqane ose pa dyqane që të pajiseshin me leje profesioni. Një vit më vonë qeveria nxorri një urdhëresë për lëshimin e lejeve të profesionit me të cilin inkurajoheshin disa lloje aktivitetesh të tregut privat me qëllim që të plotësoheshin nevojat e populit dhe kufizoheshin ato që strukturat e kohës i cilësonin si “të padobishme”.
“Në bazë të kësaj urdhëresë, elementet kapitaliste që punonin në fushën e tregtisë duhej të paguanin një taksë për lejen e profesionit deri në 10 mijë lekë në vit.
Po atë vit, qeveria nxorri edhe një urdhëresë tjetër që kufizonte veprimtarinë e sipërmarrësve kapitalistë në nxjerrjen e lëndës së drurit, prodhimin e gëlqeres, tullave e tjegullave si dhe në ndërtime.
Ajo urdhëronte të gjithë komitetet ekzekutive të rretheve dhe kooperativat e konsumit e të shitblerjes që të mos u jepnin në sipërmarrje elementeve privatë as nxjerrjen e lëndëve të para e as objekte ndërtimi të çfarëdolloj. Këto punë, urdhëronte ajo, duhet të kryhen vetëm nga ndërmarrjet ose komitetet ekzekutive” evidentohet më tej në studim.
Në listën e kufizimeve që u ndërmorën këto kohë ishte edhe mosdhënia e lejes për të punuar në rrugët kryesore. Në këto vende u hapën dyqane shtetërore e kooperativiste.
Po ashtu, tregtarët nuk furnizoheshin me mallra konsumi të garantuara me trista, siç bëhej me punonjësit e sektorit shtetëror. Duke filluar nga viti 1951 kjo masë u mor edhe për zejtarët.
Për të kufizuar fitimet sumplementare që nxirrnin tregtarët nga pasuria e tyre e patundshme, u bë edhe shtetëzimi i dyqaneve të tyre dhe i shtëpive të banimit me qira.
Shilegu shkruan në studimin e tij se “gjatë vitit 1949 u shtetëzuan 1204 dyqane dhe 975 shtëpi banimi të tregtarëve dhe kapitalistëve”.
Por kufizimin më të madh të elementeve kapitaliste, sipas autorit, shteti e bëri me politikën e tij financiare.
Tatimi i menjëhershëm dhe eleminimi nga jeta ekonomike e vendit
Pas tatimit të jashtëzakonshëm për fitimet e luftës që kishte “boshatisur” arkat e tregtarëve, ministria e Financave nxorri një urdhëresë tjetër për atë që u emërtua “tatim i menjëhershëm”. Arsyeja që u emërtua i tillë ishte se pagesa duhej bërë mënjëherë. Kjo masë preku më së shumti bizneset e mëdha.
“Në qytetin e Tiranës u tatuan 158 tregtarë, në Shkodër 201 tregtarë, në Durrës 121 tregtarë, në Korçë 80 tregtarë, në Elbasan 77 tregtarë, në Vlorë 89 tregtarë, në Fier e Gjirokastër 45 tregtarë dhe kështu me radhë në 17 qytete të vendit u tatuan gjithsesi 1047 tregtarë. Këtyre tregtarëve iu caktua një tatim i përgjithshëm prej 233 milion e 200 mijë lekësh.
Sasinë më të madhe të këtij tatimi u detyruan ta paguanin tregtarët e Shkodrës (90 milion lekë) , tregtarët e Tiranës 450 milion lekë, tregtarët e Durrësi dhe Korçës 30 milion lekë, tregtarët e Elbasanit 15 milion lekë, tregtarët e Fierit dhe të Kavajës nga 10 milionë lekë.
Tregtarëve të veçantë u takonte të paguanin mesatarisht sipas fitimeve që kishin realizuar nga 100 mijë lekë deri në 470 mijë lekë menjëherë. Kjo masë pati shumë kundërshtime po u zbatua pa asnjë lëshim” shkruhet në studim.
Arka e shtetit arkëtoi nga kjo masë 180 milion e 933 mijë e 938 lekë që ndihmoi edhe në kapërcimin e vështirësive të krijuara nga prishja me Jugosllavinë.
Tatim fitimi nxirrej kryesisht në bazë të deklarimeve të vetë tregtarëve por deklarimet kontrolloheshin e korrigjoheshin nga organet financiare shtetërore.
Ky kufizim bëri që pak nga pak të pakësohej veprimtaria e tregtarëve dhe një pjesë e tyre të eleminohej terësisht nga fusha ekonomike.