Doza e dytë e vaksinës në Vlorë, të moshuarit në pritje: Nuk na orientojnë për radhën

Në Vlorë të moshuarit janë grumbulluar tek çadrat ku po merren dozat e vaksinës. Siç duket dhe nga pamjet janë krijuar radhë të gjata. Qytetarët po marrin dozën e dytë të vaksinës.

Të lodhur nga pritja të moshuarit shprehen të shqetësuar për kaosin e krijuar.

“Unë vij këtu dhe në vend të më shërosh, por të  vdes. Mos të vdes nga vaksina të paktën, por të them vdiq nga perëndia”, shprehet i revoltuar një i moshuar.

“Sot kemi datën neve. Pse se bëjnë me numra, gjeje ti kush është i fundit këtu”, thotë një tjetër i moshuar.

Shefi i epidemiologjisë, Agron Bashllari sqaron se kjo radhë kaotike është krijuar për shkak se shumë qytetarë vijnë për dozën e dytë përpara afatit të përcaktuar.

“Një pjesë e njerëzve kanë edhe padurimin për të ikur jashtë dhe mendojnë të ofrojnë afatet. Afati me vaksinën kineze është mbi katër javë. Në situata të caktuara vaksinimi mund të shtyhet edhe më pas, por para këtij afati nuk aplikohet”, thotë ai.

Ndërkohë disa të moshuar thonë të kundërtën.

“Na e shtynë një javë, tani erdhëm sërish. Erdhëm sot  dhe sërish s’po e bëjmë vaksinën”, thotë një tjetër qytetar.

Janë në total 7500 qytetarë që presin të marrin dozën e dytë.

/abcnews.al/

SHKARKO APP