Drafti në Kuvend, SHISH kërkon mbrojtje për “spiunët”

SHISH kërkon mbrojtje për “spiunët”. Një kategori punonjësish të shërbimit informativ shtetëror do të pajisen me identitet të dyfishtë për shkak të pjesëmarrjes në operacione speciale me qëllim mbledhjen e të dhënave për terrorizmin, trafikun e drogës, dhe krimet që cenojnë sigurinë kombëtare. Drafti që e parashikon këtë akt, është dorëzuar nga qeveria shqiptare në parlament për miratim.

Në draftin e propozuar nga këshilli i ministrave propozohet rregullimi i trajtimit financiar për 44 efektiva të SHISH, të cilëve do tu kompensohet financiarisht udhëtimi dhe strehimi pasi janë emëruar në detyra jashtë qyteteve ku banojnë. Ky ndryshim ligjor sipas relacionit i jep zgjidhje një situate problematike të krijuar shpeshherë kur punonjësit kanë dhënë dorëheqjen për shkak të vështirësive financiare që u ka krijuar angazhimi në detyra larg vendbanimit.

Një tjetër pikë që trajtohet në draft është edhe shpërblimi për mentorët, punonjësit e vjetër të SHISH të cilët trajnojnë dhe tejçojnë profesionin tek të rekrutuarit e rinj në shërbimin sekret. “Roli i mentorit në shërbim është jetik për vijimësinë e veprimtarisë së shërbimit, pasi puna në SHISH është profesion që nuk mund të vetëmësohet apo të merret nëpërmjet shkollimit”, theksohet në relacionin e projektligjit.

SHKARKO APP