Drafti për Reformën Zgjedhore, Bylykbashi: Gati modelet për votimin elektronik

Ish-bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore, Oerd Bylykbashi thotë se propozimet e opozitës priten që të jenë gati në fillim të dhjetorit e që adresojnë shqetësimet e ngritura nga OSBE/ODIHR-i, që nisin nga çështja e kartave të identitetit, manipulimi me listat e zgjedhësve, përdorimi dhe presioni i administratës publike apo keqpërdorimi i burimeve shtetërore. Përdorimi i teknologjisë në zgjedhje është një ndër çështjet ku palët parimisht bien dakord. Bylykbashi thotë se janë gati modelet që mbajnë larg procesit komisionerët, ku si variant më i mundshëm shihet ai i kalimit të votës elektronikisht në sistem që shoqërohet edhe me ruajtjen e saj në një kuti votimi. Një garanci më shumë kjo, nëse nga palët do të ketë kontestim për procesin zgjedhor.

”Aktualisht diskutimi është jo vetëm në planin ligjor por kemi parë edhe modele ekzistuese që mund të bëjnë këtë zgjidhje dhe fazat janë goxha të avancuara në këtë pikë dhe ne po ecim edhe me paketë ligjore në këtë sens”, shprehet ai. Ndryshe nga maxhoranca, opozita ka një tjetër formulë sa i përket Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve dhe administratës zgjedhore. ”Propozimi që bën sot maxhoranca që bazohet mbi administrimin e politizuar është i pabesueshëm dhe ne kemi propozimet tona sa i përket një administrimi zgjedhor që është i besueshëm por merr parasysh edhe interesin e partive politike dhe të zgjedhjeve pa shkuar në një mekanizëm që është mburoja e qeverisë”,-thotë për ”Tv Klan”.

A ka një konsensus me maxhorancën për draftin e saj opozita?

“Askush nuk mund të besojë që një kod zgjedhor i votuar në dhomën e mbyllur të PS e më pas me vulat e çdo lloj shumice që prodhon PS në parlament do ishte i besueshëm për shqiptarët”. Sistemi zgjedhor, i kërkuar me forcë nga aleatët është një tjetër çështje që nuk mbetet jashtë draftit të opozitës, për të cilën Bylykbashi thotë se do të jetë pjesë e një faze tjetër pasi kërkon një diskutim të nivelit politik dhe kushtetues.

SHKARKO APP