Drafti si zgjidhet prokurori i përgjithshem, KLD, gjykata e lartë, gjykata kushtetuese

 

 

Edi Rama ka deklaruar se do te beje reformen me te thelle ne keto 25 vite ne sistemin e drejtesise. Pas 8 muaj punë, ekspertët pranë komisionit të reformës në drejtësi kanë hartuar një draft-strategji për 52 faqesh se cilat janë ndërhyrjet që duhen bërë për të reformuar sistemin. Sipas këtij dokumenti, problemet kryesore që prekin sistemin tonë të drejtësisë e kanë origjinën tek Kushtetuta prandaj dhe është e nevojshme ndërhyrja në ligjin themelor të shtetit në 5 kapituj të saj; në pjesën e katërt që flet për Presidentin e Republikës, në pjesën e tetë për Gjykatën Kushtetuese, pjesën e nëntë per gjykatat, pjesën e dhjetë qe është Prokuroria dhe pjesa e njëmbëdhjetë. Një nga propozimet më interesante të ekspertëve është ndryshimi i procedurës për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, i cili aktualisht emërohet nga presidenti me pëlqim të parlamentit. Sipas ekspertëve, duhet ndërhyrë në Kushtetutë për numrin një të organit të akuzës. Drafti parashikon ndryshimin e procesit të emërimit të Prokurorit të Përgjithshëm, duke i atribuar këshillit të prokurorisë të drejtën për t’i propozuar presidentit dy kandidatë të kualifikuar. Në lidhje me Presidentin e Republikës, drafti parashikon hartimin e një ligji të posaçëm për institucionin e kreut të shtetit, por njëherësh e heq atë nga drejtimi i KLD, institucion për të cilin janë parashikuar disa ndryshime. Drafti parashikon që Ministri i Drejtësisë dhe Presidenti të mos jenë në përbërje të KLD-së. Po ashtu parashikon ngushtimin e diferencës së tanishme midis numrit të anëtarëve nga radhët e gjyqësorit dhe atyre të jashtëm, ku anëtarët e gjyqësorit do të ruajnë shumicën e vendeve në KLD. Sipas ekspertëve duhet parë mundësia e organizimit të KLD-së në dy dhoma, nëse prokuroria do të jetë pjesë e gjyqësorit, përkatësisht: këshilli për gjyqësorin dhe këshilli për prokurorinë, ndërkohë që konferenca e gjyqësorit do te suprimohet. Nën ombrellën e KLD sipas ekspertëve duhet të hyjë edhe Gjykata e Lartë. Drafti parashikon shqyrtimin e mundësisë për ta bërë Gjykatën e Lartë pjesë integrale të sistemit gjyqësor dhe rrjedhimisht shtrirjen e kompetencave të KLD-së mbi të. Për Gjykatën Kushtetuese drafti propozon zgjedhjen e anëtarëve të saj me shumicë të cilësuar, ndryshe nga tani që zgjidhen me 71 vota. Drafti parashikon shmangien e politizimit të procesit të emërimit dhe përbërjes së Gjykatës Kushtetuese përmes dispozitave që garantojnë mbështetje të gjerë të kandidaturave në Kuvend, duke përfshirë dhe kontrollin e ndërsjellë të shumicës dhe pakicës parlamentare mbi procesin e votimit, me qëllim balancimin e pushtetit të shumicës parlamentar. Në planin e veprimit të hartuar nga ekspertët është parashikuar që ndryshimet dërrmuese, përfshi ato në Kushtetutë, të realizohen deri në fund të këtij viti, ndërkohe që amendimi i ligjeve do të vazhdojë deri në 2016.

SHKARKO APP