Drama e familjes Lika, mes rrënojave dhe frikës nga gjakmarrja

Nën peshën e frikës nga gjakmarrja dhe mes rrënojave të banesës së shembur, familja Lika në Fushë Mamurras të Kurbinit, është duke jetuar momentet më të vështira. Shtëpia dykatëshe e shembur nga tërmeti i 26 nëntorit, për familjen kishte një funksion të dyfishtë dhe jo të zakonshëm. Muret e kësaj banese të ishin mbrojtja e vetme që i kishte mbetur familjes me pesë anëtarë nga gjakmarrja. Që nga e marta ”mbrojtja” e kësaj familje është një plastmas.

Familja përbëhet nga 2 gra dhe 3 fëmijë të mitur, të gjithë të pamundur për të përballuar fatkeqësinë natyrore, e cila merr një tjetër përmasë për shkak të frikës që prodhon hakmarrja e verbër njerëzore. Banesa dykatëshe e familjes Lika është inspektuar nga ekspertët e bashkisë Kurbin dhe është nxjerrë e pabanueshme. Për këtë familje duhet një vendstrehim i sigurt dhe mundësisht sekret, për t’u siguruar jetën nga çdo hakmarrje e mundshme. Deri më tani, nga strukturat shtetërore, nuk është marrë asnjë masë për strehimin e dy grave dhe tre fëmijëve të mitur.

”Unë qëndroj këtu me mamin dhe me tre fëmijë të vegjël. Shtëpia na është prishur nga tërmeti. Burri ka ikur nga hasmëria, pasi kemi probleme. Kërkoj ndihmë nga shteti. Kërkoj ndihmë nga kushdo që ka mundësi për të pasur një shtëpi. Ne nuk mund të lëvizim. Nuk kemi asnjë të ardhur. Ju lutem na ndihmoni”,-thotë nëna për Report TV.

SHKARKO APP