Drama e një babai nga Elbasani: Jam gati të shes djalin, që të kurohet i vëllai
Ai është 13 vjeç dhe ka shumë ëndrra për jetën, por fatkeqësisht këto ëndrra mund t’i shuhen pasi rrezikon të humbasë njërën këmbë.
Historia e trishtë vjen këtë radhë nga fshati Kodra Bujaras, Elbasan.
I mituri quhet Kleo Muça dhe është 13 vjeç.
Një ditë, ndërsa ishte duke shkuar në shkollë, theu njërën këmbë dhe krisi rëndë këmbën tjetër.
Të gjithë në fshat pohojnë se fajin e ka rruga e vështirë. Por tashmë kjo ka pak rëndësi për të riun.
Prej 10 ditësh vogëlushi plot me ëndrra dergjet në shtrat. Ai ka nevojë për kurim të specializuar në Tiranë, shkruan Shekulli.
Prindërit e tij kërkuan ndihmën e medies pasi askush nuk i dëgjon në institucione.
I trishtuar për të birin, babai Bashkim Muça shkon deri aty sa deklaron se, është gati të shesë djalin tjetër, vetëm që vëllai i tij të kurohet dhe të shpëtojë nga halli që e ka zënë.
Ai tregon për gazetën “Shekulli” se operacioni kushton 5 mijë euro. Por nuk ka se ku t’i gjejë të hollat. U bën apel njerëzve të mirë që të mendojnë si për fëmijën e tyre. U drejtohet strukturave shtetërore, biznesmenëve, por edhe qytetarëve të thjeshtë që të mund ta ndihmojnë që ta shohë djalin sërish në këmbë një ditë.
Pesë anëtarët e kësaj familje jetojnë në varfëri ekstreme vetëm me 70 mijë lekë ndihmë ekonomike. Ata përpiqen të mbijetojnë me bujqësi. Nëna e tij, Bukurie Muça thotë se, shëndeti i të birit po rëndohet dhe se sa më shumë që kalojnë ditët, aq më e vështirë bëhet që të ketë sërish këmbën e tij.
“Vogëlushi i ka sytë nga ne. Nuk ka më keq kur sheh dikë që shpreson tek ty, e ti nuk mundesh”, thotë e ëma.
13-vjeçari Kleo Muça dëshiron të shkojë në shkollë, të luajë me shokët, të bëhet dikush në jetë. Dëshiron të jetë i dobishëm për familjen dhe shoqërinë. Por familja e tij nuk e ka këtë mundësi, pavarësisht dëshirës së madhe. “Sikur ta shpëtoj këmbën unë do ta ndihmoj gjithë botën”, shprehet ai.
KOHA JONË SONDAZH

