Drejt 41 bis-it, SHBA i jep Shqipërisë edhe 920 mijë dollarë
Shqipëria po përgatitet të vendosë në funksion regjimin 41 bis në dy burgje, në Peqin dhe te 313 në Tiranë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës njofton se ka akorduar një fond shtesë prej 920,000 dollarë, duke e rritur totalin e mbështetjes në 5.1 milionë dollarë.
“Një sistem i përmirësuar burgjesh është thelbësor për përpjekjet e vazhduara të Shqipërisë për të forcuar sundimin e ligjit dhe luftuar krimin e organizuar. Më 1 tetor, Shtetet e Bashkuara akorduan një fond shtesë prej 920,000 dollarë në mbështetje të programeve të ligjzbatimit në Shqipëri, duke e rritur totalin e mbështetjes së SHBA në 5.1 milionë dollarë. Ndihma shtesë do të kontribuojë për Planin e Veprimit për Burgjet 2019 të Ministrisë së Drejtësisë, të cilat do të kenë në shënjestër reformat brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të profesionalizuar edhe më tej sistemin korrektiv, përforcuar sigurinë publike, dhe zbatuar masa energjike kundër aktivitetit kriminal të organizuar. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara në mënyrë të palëkundur për t’i mbështetur këto përpjekje dhe për të ndihmuar Shqipërinë që të ndërtojë një sistem drejtësie penale që të jetë i efektshëm dhe transparent”, thuhet në reagimin e Ambasadës.
Në një intervistë të dhënë pak ditë më parë për ”Top Channel”, Agim Ismaili, drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, tha se përveç kushteve të forta të sigurisë, edhe policët që do ruajnë të burgosurit e 41 bis-it po trajnohen enkas. I burgosuri që do të vendoset në regjim 41 bis do jetë i izoluar nga gjithçka, do ketë një krevat në dhomë, as frigorifer dhe as televizor. Madje edhe qiellin nuk do arrijnë ta shikojnë jo vetëm për shkak të kafazëve tradicionalë në burgje por edhe për shkak të grilave të hekurta Përveç kafazëve tradicionalë në burg do ketë edhe grilë të hekurt në dritare.