Drejt Europës apo Gropës së Rilindjes?!

Zgjedhjet e 25 prillit 2021 nuk janë thjesht një proces elektoral për të zgjedhur qeverinë dhe parlamentin. Pas tetë vitesh keqqeverisje dhe një kursi të rrezikshëm antikombëtar, me 25 prill qytetarët duhet të zgjedhin më tepër sesa qeverinë e radhës. Më 25 prill vendoset për të ardhmen e vendit në BE, për largimin e korrupsionit, shpëtimin e ekonomisë nga koncesionet, largimin e keqqeverisjes dhe për kthimin e institucioneve qytetarëve. Çdo tezë pro mandatit të tretë të rilindjes, çdo avokaturë ndaj gjoja reformave të PS dhe çdo media që propagandon dobinë e Rilindjes për Shqipërinë, nuk bën asgjë më shumë sesa i shërben një projektit antikombëtar dhe pro oligarkëve e krimit. Të mbrosh sot Rilindjes ose je pjesë e bandës që ka shthurur shtetin dhe ke frikë nga ndëshkimi ose je shërbëtor me pagesë i saj. Në të gjitha rastet nuk po u shërbejnë qytetarëve dhe as të mirës publike, por një projekti që do të shkatërrojë vendin. Mandati i tretë që kërkon Rilindja është alibia për të shpëtuar kokën, jo për të shpëtuar vendin dhe as për të ndihmuar qytetarët. Çdo qëndrim pro kësaj teze bën pjesë te pallavrat rilindase që nuk kanë lidhje me shqiptarët.
Projekti i integrimit në BE është keqpërdorur nga politika dhe sot duket një debat patetik. Por inflacioni i mburrjeve dhe sloganeve me BE nga PS rrëzohet përballë murit të fakteve. Analiza është e thjeshtë, pas tetëve viteve në pushtet Shqipëria nuk është më afër, por më larg BE. Negociatat zyrtare duhet të ishin hapur që në vitin 2013, por sjellja antishtet e qeverisjes bëri që dhe pas tetë vitesh Shqipëria të jetë në pikëpyetje për funksionimin e institucioneve. Në 2013 flitej vetëm për tre kushte, sot jemi përballë faktit kokëfortë se kemi 15 kushte dhe gjasat që janë që të shtohen deri më 25 prill. 10 vit më parë ishim para Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe shteteve të tjera të rajonit. Sot jemi para situatës kur Maqedonia e Veriut e ka prerë biletën për në BE dhe paaftësia jonë shtetformuese është bërë problem për gjithë rajonin.
Ekonomia që pjesa ky qytetarët preken direkt dhe nuk ka nevojë për propagandë dhe as për militantizëm politik. Më mirë se partitë, qytetarët i bëjnë vetë llogaritë duke parë sesa para u kanë mbetur në xhep. Jo vetëm nuk u janë rritur të ardhurat, por shqiptarët marrin më pak dhe detyrohen të paguajnë më shumë sesa më parë. Ekonomia është dështimi më i madh që nuk mund të fshihet me propagandë. Rilindja ka rritur taksat, takimet dhe nuk është kujtuar kurrë për rritjen e pensioneve dhe pagave. Investimet e huaja kanë vite që janë harruar dhe asnjë kompani ndërkombëtare nuk e sheh Shqipërinë si vend ku mund të hedhë paratë e saja. Arsyeja është e thjeshtë. Në një vend pa gjykata dhe ku çdo kompani e huaj duhet të kalojë nëpër zyrat sekserëve qeveritarë, askush nuk rrezikon të çojë paratë dëm. Në këto vite qeveria ka punuar vetëm për një grusht biznesmenësh afër saj, të cilët e kanë kthyer buxhetin si një llogari private bankare që mbushet nga taksat e qytetarëve dhe vidhet nga oligarkët.
Këto tetë vite na treguan se demokracia, institucionet, Kushtetuta dhe ligjet nuk janë garanci për zhvillimin e vendit nëse në qeveri nuk ka njerëz të përgjegjshëm. Brenda një kohe të shkurtër, një grup njerëzisht shkatërruan dhe lanë vendin pa gjykata, pa institucione legjitime si dhe vodhën zgjedhjet. Reforma në drejtësi, pavarësisht qëllimit të mirë, u përdor si pretekst për të vjedhur pushtetit, pezulluar institucionet dhe për të shkatërruar demokracinë. Jo rastësisht, sa më gjatë vonohet ngritja e gjykatave aq më shumë shtohen vjedhjet, koncesionet dhe atentatet ndaj Kushtetutës dhe të drejtave të qytetarëve. Projekti rilindas është i qartë, mandati tjetër u duhet për të vazhduar vjedhjen dhe për të shkatërruar vendin duke e çuar në gropë. Ndaj 25 prilli jetë një betejë e ashpër dhe një referendum popullor kombëtar. Qytetarët duhet të zgjedhin mes opozitës që s’mund të jetë e përsosur për të gjithë, por është dhe mbetët alternativa më e mirë dhe mes Rilindjes që nuk garanton më asgjë veç gropës në buxhet, gropës për integrimin e vendit dhe gropës për të ardhmen e shqiptarëve. Më 25 prill vendoset nëse do të shkojmë drejt Europës apo drejt gropës së Rilindjes?!
Mili Xhani

SHKARKO APP