Drejt zbardhjes ngjarja ndaj ish-policit që u shua, ministri Balla: Pres rezultate edhe në Vlorë, Lezhë dhe Shkodër

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar për punën e Policisë së Tiranës që ndodhet drejt zbardhjes së ngjarjes kriminale të disa ditëve më parë në Fushë-Krujë. Balla u shpreh se detyra e Policisë së Shtetit është të parandalojë ose të zbardhë çdo ngjarje kriminale dhe të vendosë para drejtësisë fajtorët. “Sapo kam përgëzuar drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë për punën e deritanishme hetimore në drejtim të zbardhjes së ngjarjes kriminale disa ditë më parë në Fushë Krujë. Pres gjithashtu rezultate edhe në drejtim të identifikimit të autorëve të ngjarjeve në Vlorë, Lezhë dhe Shkodër”, theksoi më tej Balla.

Postimi i plotë

Detyra e Policisë së Shtetit është të parandalojë ose të zbardhë çdo ngjarje kriminale dhe të vendosë para drejtësisë fajtorët. Sapo kam përgëzuar drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë për punën e deritanishme hetimore në drejtim të zbardhjes së ngjarjes kriminale disa ditë më parë në Fushë-Krujë.

Pres gjithashtu rezultate edhe në drejtim të identifikimit të autorëve të ngjarjeve në Vlorë, Lezhë dhe Shkodër. Autorët apo porositësit e ngjarjeve kriminale mund të fshihen për një kohë, brenda dhe jashtë vendit, mund të tentojnë t’i shmangen ekstradimeve, por detyra e Policisë së Shtetit është t’i gjejë kudo që fshihen dhe t’i vendosë para drejtësisë.

Për këtë qëllim duhet punë e pandërprerë hetimore dhe bashkëpunim me agjencitë partnere dhe me qytetarët, informacionet e të cilëve janë shumë të vlefshme. Dy persona të kërkuar nga drejtësia janë ndaluar/ekstraduar gjatë 24 orëve të fundit.

SHKARKO APP