Drejtimi i bordit të AMF – Ekonomia “skanon” 4 kandidaturat
Komisioni i Ekonomisë dhe Financave ka dëgjuar katër kandidaturat për postin e kryetarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Ndër kandidatët, ishte edhe Pajtim Melani i cili mban aktualisht këtë detyrë, mandati i të cilit përfundon në muajin Mars. Ndërsa tre kandidatët e tjerë, janë Bilal Kola, Olsi Çoku dhe Ardit Çollaku.
Drejtuesi aktual i Bordit të AMF bëri një analizë të punës së deritanishme të këtij institucioni, ku vlerësoi si zhvillim pozitiv licencimin e Bursës Shqiptare të Titujve ALSE, sipas të cilit deri më tani ka treguar rreth 21 milionë euro letra me vlerë dhe do të zgjerohet përtej titujve të qeverisë.
Melani u shpreh se tregjet financiare që janë mbikëqyrur nga AMF-ja kanë pasur zhvillime pozitive. Sipas tij, për vitin 2018 e deri tani janë tregtuar më shumë se 21 milionë euro letra me vlerë dhe se tregu i pensioneve private ka pasur rritje vjetore në 26%. Melani tha se AMF është fokusuar në rritjen e besimit tek konsumatorët dhe investitorët, duke miratuar një strategji të posaçme.
Ndërsa, Olsi Çoku theksoi se nga AMF duhet edukim periodik i publikut, për instrumentet që mund të rrisin kapitalin, duhet rritje e besimit për qëndrueshmërinë e subjekteve financiare që shesin dhe blejmë tituj, dhe pasi konfirmohet besueshmëria, atëherë kompanitë mund të jenë gati për tituj privat.
Ndersa Bilal Kola dhe Ardit Çollaku prezantuan eksperiencat dhe përvojat në fushën e menaxhimit dhe shprehen bindjen se plotësojnë të gjitha kriteret për këtë pozicion.
Ndërsa opozita është larguar pas prezantimit të Pajtim Melanit, Komisioni i Ekonomisë nuk ka marrë vendim të menjëhershëm për kandidaturën që do të çojë për votim në seancë plenare me argumentin se kanë nevojë për më shumë kohë për shqyrtimin e cv-ve të kandidatëve.
KOHA JONË SONDAZH

