Drejtori i IKMT Korçë: Janë evidentuar rreth 370 subjekte që cenojnë sigurinë kombëtare
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në Korçë ka ngritur grupet e punës në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH). Sipas Edi Bitrit, drejtor rajonal i IKMT Korçë, nga monitorimet e deritanishme në terren janë evidentuar rreth 370 subjekte që kanë zënë hapësira publike në mënyrë të paligjshme, duke rrezikuar sigurinë rrugore dhe kombëtare.
Fjala është për rrethime banesash, tabela të karburanteve, si dhe biznese të ndryshme që merren me servise apo automjete të çmontuara, të cilat kanë pushtuar pjesë të rrugëve. Të gjitha subjektet janë paralajmëruar të marrin masa për çmontimin vullnetar të strukturave që kanë zënë hapësirat, dhe është vënë re një ndërgjegjësim në rritje nga ana e qytetarëve dhe bizneseve për të respektuar ligjin. Sipas direktivave të qeverisë, atyre u është lënë një afat deri më 31 korrik për të realizuar çmontimin vullnetar.
Drejtori i IKMT Korçë thekson se deri tani nuk është vendosur asnjë masë administrative, pasi ekipet janë ende në terren dhe po monitorojnë situatën. Ai gjithashtu nënvizon se mungesa e fuqisë punëtore për ndërhyrjet ka sjellë vonesa të mundshme, por në rastet kur nuk është nisur asnjë veprim, do të merren masa sipas ligjit.
Shpërndarja e subjekteve të evidentuara sipas akseve rrugore janë:
Aksi nacional Korçë – Qafë Thanë: 239 subjekte
122 rrethime banesash
117 biznese
Aksi Korçë – Kapshticë: 74 subjekte
21 banesa
53 biznese
Aksi Korçë – Leskovik: 48 subjekte
26 banesa
22 biznese
Aksi Libonik – Rëmbec – Plasë: 16 subjekte
9 banesa
7 biznese
KOHA JONË SONDAZH

