Drejtori i Policisë së Tiranës: Në disa raste, mungesë profesionalizmi për hashashin

Në disa raste të kultivimit të lëndëve narkotike, punonjës policie kanë shfaqur mungesë profesionalizmi në kontrollin e territorit, është shprehur drejtori i policisë së Tiranës, Ervin Hodaj.

Gjatë analizës për vitin 2015 të luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike në qarkun e Tiranës, Hodaj nuk ka dhënë shifra të rasteve të papërgjegjshmërisë nga ana e uniformave blu, por ka theksuar se ndaj tyre kanë filluar ecuri disiplinore.

“Por nga analizat e bëra nga ana e komisariateve të policisë, është konkluduar se ne disa raste punonjës policie janë pergjegjës për kontrollin jo të plotë të territorit, duke shfaqur mungesë profesionalizmi apo dhënien jo të saktë të informacionit, dhe ndaj tyre nga ana e drejtuesve të komisariateve ka filluar ecurie disiplinore”, ka thënë z. Hodaj.

Kreu i policisë së Tiranës ka kërkuar edhe bashkëpunimin e pushtetit vendor, duke e cilësuar mjaft thelbësore në forcimin e luftës kundër kultivimit të drogës.

“Mbështetja dhe bashkëpunimi i qeverive vendore është i domosdoshëm dhe vendimtar për gjithë procesin. Shpeshherë mendohet se lufta kundër kultivimit të drogës dhe krimit në përgjithësi është një punë që i takon vetëm Policisë. Megjithatë, realiteti është ndryshe. Realiteti na mëson se në një shoqëri demokratike, policia nuk mund t’ja dalë pa mbështetjen dhe bashkëpunimin e komunitetit. Kjo është edhe arsyeja pse ne do të dëshironim të shihnim aktorët vendorë të motivuar dhe të përfshirë në mënyrë konstruktive në këtë çështje, shpresojmë kudo”, tha Hodaj më tej.

Referuar shifrave të publikuara prej tij, në 2015 janë organizuar 42 operacione me 16.689 rrënjë të asgjesuara, me 27 autorë gjithsej. Zbulueshmëria nga ana e strukturave të komisariateve të policisë ka patur një rritje me 27.9 %.

SHIFRA

•    Janë asgjësuar 141 parcela dhe 24254 bimë narkotike.
•    Janë evidentuar 94 raste të kultivimit të bimëve narkotike të referuara në Prokurori, ku janë zbuluar 41 prej tyre
•    Nga misioni INTERFORCE janë dërguar 6 raporte monitorimi ajror, ku në bazë të të dhënave të bëra prezent në to, janë identifikuar dhe asgjësuar në terren, 49 parcela.
•    Nga ana e policisë janë organizuar gjithsej 42 operacione të koduara, ku 3 (tre) prej tyre janë mbi bazën e informacioneve të dërguara nga SHISH.

SHKARKO APP