Drejtori i Teatrit serb në Tiranë: Futbolli të mësojë nga kultura

Ndërsa ndeshja e futbollit Serbi-Shqipëri krijoi tension pak kohë më parë, bashkëpunimi kulturor mes të dy vendeve, veçanërisht muzika klasike, sjell një tjetër frymë dhe klimë komunikimi.

Dhe pikërisht ai që i vë vulën një bashkëpunimi të tillë Serbi-Shqipëri në fushën e kulturës është Dejan Saviç, Drejtori i Teatrit të Beogradit, i cili ka ardhur në kryeqytetin shqiptar  për të dirigjuar koncertin simfonik të datës 26 shtator në Teatrin e Operas dhe Baletit.

Por ashtu sikurse në Beograd, edhe në Tiranë dirigjenti i koncertit Saviç, nuk i ka shpëtuar klimës së krijuar nga futbolli dhe gjatë konferencës së mbajtur sot në TKOB, për pjesët që do të dirigjojë si simfonia Nr. 9, nga  Antonin Dvorak, dhe koncerti për violinë, vilonçel dhe piano,  Op 56 “Triptiku” i Beethoven, Maestro ka përcjellë edhe një mesazh për të dyja ekipet kombëtare. 

“Do të doja që mediat të përcillnin një plan të panelit që jemi këtu dhe t’ua nisnin përpara ndeshjes Shqipëri-Serbi të dyja ekipeve, atij serb dhe atij shqiptar, në mënyrë që edhe futbolli të kuptojë se si mund të bashkëpunojnë dy popuj e dy kultura si ne”, u shpreh maestro Saviç.

Saviç ka gjetur në Tiranë mbështetjen e artistëve të orkestrës simfonike të Tiranës dhe shpreson edhe në bashkëpunime të tjera të këtij lloji.

“Nuk është hera e parë që vij në Tiranë, por jam i mahnitur nga gjithçka keni bërë këto vite, ku që në aeroport m’u shfaq para një kryeqytet tjetër shume evropian, dhe uroj që ky të moj jetë bashkëpunimi im i fundit, pasi ky është një teatër ku kanë performuar zëra të mrekullueshëm të operës në botë si Inva Mula, Saimir Pirgu e Ermonela Jaho, emra që teatri i Beogradit do të donte shumë t’i priste”, vazhdoi Saviç.

“Sikur të kishim edhe vizita më të shpeshta të artistëve mes këtyre dy teatrove do të ishte fantastike, pra ju të sillni artistët tuaj dhe ne do t’ju sjellim zërat më të mirë në Tiranë”, tha më tej ai.

 

SHKARKO APP