Dritan Hila:”Or çun (Edi), nuk shtyhet ushtria (qeveria) t’u bo shurren!”

 

Ka reaguar ashpër e me ironi Dritan Hila, deri para pak muajsh zv/ministër i Mbrojtjes e që dha dorëheqjen për shkak se nuk ishte dakord me disa praktika të qeverisë. Sot ai është analist i pavarur. Ja  reagimi i tij në Facebook:

Pas dy muajve me tregimet erotike për, nga, dhe me sigurimin e shtetit; pas javës demokratikase ku filloi legjenda e re nëse PD-ja u themelua në 11 apo 12 dhjetor; pasi shpëtuam për një qime nga koncesioni i radhës ku gati na shitën edhe jetën e përtejme, vjen tema e teatrit të radhës sesi veriorët ju kanë vjedhur tokat himariotëve. Për hir të së vërtetës sa i kanë vjedhur toka himarjotët shtetit dhe njëri-tjetrit, nuk ka verior t'ua  kalojë. Është dëshmitar për këtë Bollanoja me juristin e tij. Dhe Himara ka dëshmuar edhe në ditët e sotme se ka bijë të mendjes, penës, punës, por edhe hajdutë me nam.

Që klientë të Berishës me origjinë veriore kanë marrë toka në bregdet, kjo është e mundur, ashtu siç miqtë ortodokse të Ramës marrin llokma tenderësh e koncesionesh. Pra përcaktori verior apo ortodoks, ka lidhje vetëm për të dalluar bandën, dhe jo si karakteristikë e grupit. Pasi njoh veriorë që kanë blerë tokat me djersën e emigracionit dhe po përpiqen të ngrenë një jetë në bregdet, pa të cilët tashmë nuk do kishin kuptim ato vise. Ashtu si pa ortodoksët, Shqipëria do të mbetej pa zyrtarët më te mirë dhe shtresën e mesme me nikoqirë.

Por mesa duket kur nuk prodhon dot ide, merresh me barcaleta. E meqë jemi në fushën e barcaletave, më kujtohet një e tillë për një ushtar çun mamaje, i cili sa herë kishte stërvitje të rëndë, i kërkonte leje kapterrit të shkonte në banjo. Një herë e dy e tre, dhe kapterri që ishte rrahur me vaj e uthull i thotë: Or çun, nuk shtyhet ushtria t'u bo shurrën. Kështu dhe puna jote or mik, nuk shtyhet mandati me batuta. E mira do të ishte të merreshe pak me standardin e jetës tonë, por si duket nuk ja ke ngenë. Të dy palët po bëni lojën që ndërsa ne po na shqyen ujku, të rrimë e mendojmë që është ëndërr”, shkruan Hila

SHKARKO APP