Dritan Shano: Rama po tenton të ndryshojë online Kushtetutën për pushtetin e tij
Analisti Dritan Shano thotë se kryeministri Edi Rama ka futur reformën zgjedhore në një spirale për qëllimet e veta politike.
I ftuar në studion e RTV Ora me gazetaren Beti Njuma, Shano nënvizon se Rama ka marrë sinjale që shqiptarët janë bërë pishman për bastin që vunë me të dhe tani po tenton të ndryshojë online Kushtetutën për t’i garantuar vetes pushtetin.
Dritan Shano: Kryeministri Edi Rama ka futur reformën zgjedhore në një spirale me dëshirat,synimet dhe taktikat e veta politike, pa asnjë arsye. Sikundër po e vëmë re ne, por, dhe partnerët tanë strategjik. Ajo që po ndodh është se kryeministri ka sinjale që shqiptarët janë bërë pishman për bastin që vunë me të dhe po tenton të maksimalizojë çdo mundësi që i jepet për shkak të maxhorancës që ka në parlament dhe nuk ka opozitë. Parlamenti është monist.
Kryeministri po tenton të përdorë këtë shans që ka për ti mundësuar vetes një fitore ose komfort në konfrontin e ardhshëm elektoral duke shkelur me të dyja këmbët marrëveshjen që mezi u arrit. Përmes dhunës së parlamentit po tenton të ndryshojë online, kushtetutën, në mes të pandemisë për një trill të vetin për ti garantuar vetes së tij pushtetin.
Të jemi të qartë ai nuk ka kërkuar qeverisjen e vendit por pushtetin për përfitime të drejtëpërdrejta dhe për këtë po bën tani.