Dritë jeshile nga BE-ja. Miratohet paketa e shpëtimit

Dritë jeshile nga BE-ja. Ministrat e Financave të BE ranë dakord në orët e vona të së enjtes për një paketë shpëtimi prej 500 miliardë eurosh për vendet anëtare të unionit të goditura rëndë nga pandemia e koronavirusit. Paketa përfshin mbështetje për qeveritë, kompanitë dhe punëtorët.

Nga ana tjetër ministrat nuk pranuan një kërkesë, nga Franca, Spanja dhe Italia, për të ndarë koston e krizës duke lëshuar të ashtuquajturat koronabondet. Më herët, kancelarja gjermane Angela Merkel hodhi poshtë idenë e borxhit të ndërsjelltë, duke deklaruar se ajo nuk beson se duhet të ketë një “përgjegjësi të përbashkët për borxhin e njëri-tjetrit.

Ky vendim vjen pak pasi kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, ka thënë se ky shtet është afër kalimit të fazës më të vështirë të pandemisë. Spanja aktualisht ka numrin më të madh të personave të prekur me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi, 152,446, ndërkohë që më shumë se 15,000 kanë vdekur.

Kryeministri francez, Bruno Le Maire, ka përshëndetur marrëveshjen, duke e konsideruar si planin më të rëndësishëm në historinë e BE-së. “Evropa ka vendosur dhe është e gatshme për t’u përballur me gravitetin e krizës”, ka thënë ai përmes një postimi në Twitter.

Udhëheqësja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieve ka paralajmëruar se bota përballet me krizën më të rëndë ekonomike prej periudhës së Depresionit të Madh, të viteve 1930.

SHKARKO APP