Dritë jeshile për liberalizimin e vizave për Kosovën, Presidenti Begaj: Uroj që ky proces të përmbyllet sa më shpejt
Këtë të enjte, ministrat e Brendshëm të 27 vendeve të BE-së miratuan vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën në takimin e Këshillit të Punëve të Brendshme në Bruksel.
Presidenti Bajram Begaj në mesazhin e tij, thekson se uron që ky proces të përmbyllet sa më shpejt, si edhe e cilëson si vendim shumë të merituar.
”Përshëndes hapin e rëndësishëm të ndërmarrë nga Këshilli i Bashkimit Evropian lidhur me lëvizjen e lirë, pa viza te qytetarëve të Kosovës në hapësirën Shengen. Uroj që ky proces të përmbyllet sa më shpejt dhe qytetarët e Kosovës të ndjehen njësoj si qytetarët e tjerë të Ballkanit Perëndimor! Një vendim shumë i merituar”,-shkruan kreu i shtetit.
Sipas këtij vendimi, data e nisjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të jetë koha kur të jetë tërësisht funksional sistemi i autorizimit dhe verifikimit të udhëtimeve (ETIAS), apo jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.