Dritë për disa shtete në Europë, ja kush po fiton luftën me Covid-19
Europa duket se ka gjetur dritë në këtë kohë të pandemisë, e cila duket se po ulet me numrim e viktimave dhe të të prekurëve. Nga Milano në Palermo, qytetet italiane hedhin hapin e madh drejt rikthimit në normalitet. Faza e dytë e rihapjes së ekonomisë dhe jetës sociale nisi të hënën, kur rreth 4.4 milionë italianë u rikthyen në punë. Autoritetet bëjnë thirrje për respektim të rregullave të distancimit social e paralajmërojnë se nëse gjërat nuk do të shkojnë mirë, do të ketë rimbyllje.
Franca, Italia dhe Spanja regjistruan numrin më të ulët të vdekjeve në disa javë, të dielën. Franca raportoi 135 vdekje në 24 orë; bilanci prej 164 viktimash në Spanjë ishte më i ulëti që prej mesit të muajit mars, ndërsa Italia, me 174 jetë të humbura regjistroi shifrën më pozitive në 2 muaj. Bashkë me viktimat, kanë rënë edhe rastet e reja të infektimeve e gjithashtu shtrimet në spital.
Britania e Madhe regjistroi 315 viktima të dielën, duke u bërë vendi i tretë më me shumë humbje jetësh nga pandemia. Megjithatë, ekspertët e shëndetësisë në këtë vend thonë se piku ka kaluar dhe se situata po shkon drejt përmirësimit. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Rusinë, ku rastet me koronavirus u shtuan me 10 mijë. Niveli i vdekshmërisë mbetet i ulët në krahasim me vendet e tjera, ku me 58 jetë të humbura të dielën, totali shkon në 1280.