Droga ”blindon” Dukagjinin, Loka-Bushati: Luftojmë ”kokat” e krimit
Ditë më parë raportuam se në zonën e Dukagjinit janë rikthyer ”vizat”. Prej disa ditësh kush udhëton drejt Dukagjinit nga rruga e Prekalit, kalon përmes filtrit të Policisë së Shtetit.
Një patrullë 24 orë në detyrë është vendosur në zonë, dhe ndalon e verifikon çdo individ dhe mjet që kalon në këtë rrugë. Udhëtarëve u kontrollohen mjetet e identifikimit, për të provuar nga janë dhe ku shkojnë, ndërsa mjetet kontrollohen çfarë transportojnë.
E gjitha ka ardhur pasi në zonën e Dukagjinit do të stacionohen efektivë të Policisë së Shtetit për t’u angazhuar më drejtpërdrejtë në luftën ndaj kultivimit të lëndëve narkotike. Kjo u deklarua nga zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gjovalin Loka, gjatë një takimi që u zhvillua në njësinë administrative Guri i Zi, për thellimin e luftës kundër drogës.
“Akomodim të policisë në Dukagjin për të çuar mesazhin se ne jemi atje për të ndaluar pasurimin në rrugë të paligjshme”,-tha Loka.
Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, duke shprehur gatishmërinë për mbështetjen e policisë, tha se “ne jemi të gjithë bashkë në luftën kundër trafikut të narkotikëve”.
Drejtori i Policisë së Shkodrës, Vehbi Bushati, ka paralajmëruar se do të luftohen ”kokat” e këtij aktiviteti kriminal dhe jo të varfrit, që përfshihen dhe që në fund janë të vetmit që procedohen penalisht. ”Do luftojmë kokat e aktivitetit, jo të varfrit që përfshihen dhe në fund ato janë të vetmit që procedohen penalisht. Askush të mos mendojë se do shpëtojë”,-tha Bushati.
Në takimin e zhvilluar në Guri i Zi, u ra dakord që krahas angazhimit të drejtpërdrejtë të strukturave të policisë kundër drogës, për çdo zonë do të ngrihen grupet e përbashkëta me punonjës të policisë, përfaqësues të bashkisë dhe kryetarë të fshatrave. Kjo me qëllim që të jenë në kontakt të përditshëm me komunitetin në terren.
KOHA JONË SONDAZH

