Droga me avion, kosto 500 euro, fitimi 250 mijë euro për një rrugë

Për çdo ngarkesë drogë që arrinte të transportonte nga Shqipëria në Itali me avionin tip Dynamic, i kapur të hënën në Torino, dy shqiptarët Maksim Llajan e Fitor Aliaj dhe dy italianët Paskuale D’Ambrozio e Rozario Kampizi, nga hetimet fitonin plot 250 mijë euro.

Kostoja e udhëtimit ishte e papërfillshme përballë këtij fitimi, sepse ata shpenzonin vetëm 500 euro karburant për të fluturuar nga Torino në Shqipëri dhe anasjelltas.

Avioni që i përkiste italianit Paskuale D’Ambrozio ishte edhe më modern se ai i kapur dy javë më parë në Pulja me marjuanë të marrë në Vlorë, më 26 Gusht.

Avioni nuk mund të bënte udhëtime direkt nga Torino në Shqipëri. Për këtë arsye trafikantët përdornin një pistë të braktisur në Torre Sant Andrea, buzë Adriatikut, në provincën e Leçes, një ndër pikat më të afërta me Vlorën.

Vlera e avionit përllogaritet në rreth 70 mijë euro. Një nga iItalianët e arrestuar kishte edhe një restorant në Anxhera të Varezes. Aty mendohet se ai është njohur edhe me dy shqiptarët nga Vlora, që jetonin në Itali.

Italiani njihet në zonë si i apasionuar për fluturimet ajrore. Hetuesit dyshojnë se kanë qenë dy shqiptarët që i kanë propozuar të bëhej pjesë e trafikut të marijuanës.

SHKARKO APP