Droga në zonën ushtarake të Zall-Herrit, masa administrative për 14 ushtarakë
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura ka thirrur një mbledhje urgjente dhe ka kryer analizë të thelluar, sa i takon rrënjëve të lëndëve të narkotike të kultivuara në brendësi të repartit ushtarak në Zall Herr.
Përveç tre ushtarakëve të arrestuar, janë marrë masa administrative edhe për 14 ushtarakë të tjerë, jo vetëm anëtarë të repartit ushtarak, por edhe të policisë ushtarake dhe inspektorë të krimeve që janë pjesë e policisë ushtarake.
Midis tyre 5 janë shefa ushtarakë. Konkretisht u arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” ushtarakët me detyra: Shef i seksionit të sigurisë së Repartit Ushtarak; Specialisti i zbulimit së Repartit Ushtarak; Specialisti i sigurisë së Repartit Ushtarak.
Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” ushtarakët me detyra: Komandant i Repartit Ushtarak; Specialisti i infrastrukturës së Repartin Ushtarak; Magazinieri në Repartin Ushtarak Zv/ komandant toge në Repartin Ushtarak.
Janë liruar nga detyra dhe nxjerrë në dispozicion 4 ushtarakë të repartit ushtarak ku ndodhi ngjarja, përkatësisht: Specialisti për sigurisnë në seksionin e zbulimit; Specialist për infrastrukturën/MNZSH; Zëvendës Komandant toge në Kompaninë e mbështetjes; Magazinier/shofer në Kompaninë e Mbështetjes; Propozimin për lirimin nga detyra dhe nxjerrjen në dispozicion të Shtabit të Përgjithshëm të FA të 6 ushtarakëve të FT dhe 4 ushtarakë të Policisë Ushtarake; Komandanti i Repartit Ushtarak; Komandanti i Policisë Ushtarake; Shefi i Shtabit i Repartit Ushtarak; Shefi i Seksionit të Zbulimit i Repartit; Komandanti i Kompanisë Mbështetëse të Repartit; Specialist për gatishmërinë dhe Operacionet; Specialist për Zbulimin në Repartin ushtarak; Inspektor i Policisë Ushtarake; Agjent Krimesh në Policinë Ushtarake dje Ndihmës Specialist/Agjent Krimesh në Policinë Ushtarake
Mësohet se janë gjetur si prova një bidon plastik dhe një provë tjetër që janë dërguar për ekzaminime të mëtejshme. Ende nuk janë konstatuar kush janë kultivuesit, banorët e zonës apo kanë bashkëpunëtorë, ndërsa kjo pritet të konfirmohet nga policia kriminale.
Në rrëfimet e tyre, tre ushtarakët e ndaluar insistojnë se e kishin të pamundur të kontrollonin zonën e pyllëzuar që është e shtrirë mes dy fshatrave, Kamzës dhe Zall Herrit.
Ajo që është kundër tre ushtarakëve të arrestuar është edhe firmosja e një dokumenti në periudhën qershor-korrik, ku ata konfirmojnë si inspektorë se nuk kishte bimë të kultivuara në brendësi të repartit.
Ky është rasti i pari që në një bazë ushtarake gjendet drogë e kultivuar.