Droga ”tullumbace” në Tiranë. Kamarieri të tregon edhe si konsumohet, blihet me faturë

Nëpër klubet e natës tepër të frekuentuara nga adoleshentë e të rinj në Tiranë, një trend i frikshëm po përhapet me shpejtësi duke vënë në rrezik dhe jetën e tyre. Tullumbacja është droga më e re që po qarkullon rishtazi nëpër klubet e Tiranës. Bëhet fjalë për një substancë të gaztë, e cila vendoset brenda një tullumbaceje dhe merret duke e thithur atë.

Kjo substancë mund të përfitohet fare lehtë në lokalet në zonën e ish-bllokut në Tiranë. Ofrohet lehtë nga kamarierët madje dhe mund të të ndihmojnë si ta përdorësh nëse nuk di. Kushton nga 300-500 lekë dhe të rinjtë mund ta gjejnë lehtësisht në lokalet që frekuentojnë. Madje shitet dhe me kupon tatimor.

Mjeku toksikolog Alert Dervishi, ngre alarmin pasi kjo substancë mund të shkaktojë asfiksi deri dhe në humbje jete. “Kur merret në sasi të mëdha mund të shkaktojë dhe dëme deri në humbje të jetës. Kjo substancë shkëput oksigjenin. Klinikisht në doza të vogla jep njëlloj euforie dhe ngjan me dehje të lehtë por në sasi të mëdha kemi çrregullime të ritmit të zemrës, koshiencës deri në humbje të vetëdijes koma. Nuk duhet konsideruar si lojë pasi mund të rrezikojë jetën e përdoruesit“.

SHKARKO APP