Drogë me avionë nga Shqipëria në Itali, arrestohet trafikanti shqiptar
Një 34 vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës.
Në pranga përfundoi Feim Lamaj, banues në krahinën e Forlì-Cesena, ndaj të cilit Gjykata e Bolonjës kishte lëshuar një urdhër arresti.
Mediat lokale shkruajnë se karabinierët vunë re një shtëpi ku qarkullonin njerëz të shumtë, çka bëri që të zhvillohen kontrolle të mëtejshme.
Gjatë operacionit, policia identifikoi 34 vjeçarin Lamaj si dhe një 23 vjeçar shqiptar.
Të dy u dërguan në stacionin e policisë dhe, pas formaliteteve të zakonshme, 34 vjeçari u arrestua duke u dërguar në burg.
Gjatë kërkimeve në shtëpi, policia gjeti dhe sekuestroi dy detektorë GPS, dy telefona celularë, një fletore, shumën prej 1,660.00 euro, një pasaportë dhe një dokument autentik të identitetit që mban të njëjtin emër dhe një emër të ndryshëm, që është përdorur nga Lamaj për të shmangur kontrollet e forcave të policisë.
Nga hetimet e mëhershme të publikuara më 4 maj 2018, u zbulua se Lamaj bashkë me disa shqiptarë të tjerë kishin kryer trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë. Gjatë një operacioni të zhvilluar në gusht 2015, u sekuestruan 228 kg drogë e llojit marijuanë. Lamaj së bashku me disa shqiptarë të tjerë si dhe me familjen Ahmetaj kishin zhvilluar biznesin e drogës nga Shqipëria drejt Italisë.
Mediat lokale italiane bëjnë me dije gjithashtu se grupi trafikonte drogën me avionë të vegjël drejt Italisë, ndaj operacioni u kodua “Fluturimi i lirë”.
/S.Ll/
/Ora News
KOHA JONË SONDAZH

