Drogë në pakot e veshjeve firmato, kapet shqiptari e një grua nga Ekuadori

Një shqiptarë dhe  një bashkëpunëtore e tij, nga Ekuadori, bien në prangat e policisë italiane, për trafik lëndësh narkotike. Shqiptari e  fshihte kokainën në pako me formën e markave më të njohura të modës, si Louis Vouitton apo Nike.

Në prangat e policisë italiane ka rënë shqiptari 37 – vjeçar Irakli Kito, i cili u kap nga skuadra e Antidrogës së Milanos, në Pavia.

Në pranga është vënë edhe një grua ekuadoriane si bashkëpunëtore me shqiptarin.

Gjatë kontrolleve në dy apartamente, agjentët gjetën 21 kilogramë kokainë dhe 30 kilogramë përzjerës për lëndën narkotike.

Janë sekuestruar edhe 132 mijë euro kesh. Sipas mediave italiane, hetuesit zbuluan trafikantin pasi lëvizjet e tij kishin ngjallur dyshime.

Të premten ai u pa duke hyrë në një apartament me një zarf të dizenjuar me personazhe të filmave vizatimorë. Pas daljes ai është ndaluar ku edhe i janë gjetur 500 euro.

Gjatë marrjes në pyetje ai ka treguar edhe për një tjetër apartament, brenda së cilës u gjet edhe sasia tjetër e kokainës.

Përpara hetuesve, shqiptari ka pranuar se nisi shpërndarjen e kokainës pas falimentimit të një restoranti që kishte hapur në Barcelonë.

Sipas medieve, kjo është sasia më e madhe e kokainës e kapur në një aksion policor në muajt e fundit, vlera e së cilës llogaritet në 800 mijë euro.

SHKARKO APP