Dronë dhe mbi 60 policë në Kukës, Has e Tropojë: monitorim për parandalimin e kultivimit të kanabisit
Dy dronë po kontrollojnë zonat e thella malore dhe deri tani nuk janë evidentuar raste të tentativës për kultivim të kanabisit.
Kontrollet kanë vijuar dhe nga toka ku mbi 60 punonjës të policisë po vijojnë kontrollin në Kukës, Has, e Tropojë. Gjatë kontrollit nga punonjësit e policisë në zonën e fshatit Papaj, Tropojë, në një zonë të pyllëzuar u evidentuan fidanë të dyshuar kanabis sativa, në tentativë për t’i kultivuar.
Në lidhje me këtë rast u ushtrua kontroll në banesën e shtetasve E.D., dhe S.D., si autor të dyshuar, ku gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre u gjetën fidanë në gota plastike në tentativë për t’i kultivuar.
Këta dy shtetas u shpallën në kërkim policor dhe vijon puna për kapjen e tyre.
Po në lidhje me këtë rast u proceduan në gjendje të lirë, kryetari i fshatit Papaj, shtetasi B.H., dhe Inspektori i Pyjeve F.M., për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Kontrolli i territorit do të vijojë pa ndërprerë duke kontrolluar çdo cep të territorit dhe në zonat më të largëta falë përdorimit të flotës së dronëve apo helikopterëve.