Dropull, rëndohet situata e zjarrit. Mbrojtja: Po bëjmë të pamundurën
Për herë të dytë brenda 24 orëve kurora e gjelbër mes fshatrave Dervician dhe Goranxi në Bashkinë e Dropullit janë përfshirë nga flakët. Nga ky zjarr janë shkaktuar dëme të mëdha, pasi janë djegur mbi 15 hektarë kullota si dhe rreth 150 pisha që janë pjesë e Parkut Natyror të Goranxisë.
Ministria e Mbrojtjes thotë se FA dhe zjarrfikësit janë angazhuar plotësisht për të bërë të mundur vënien nën kontroll të flakëve për të mos lejuar përhapjen më tej të tyre.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes në vendin e ngjarjes kanë shkuar 3 mjete zjarrfikëse të bashkisë së Gjirokastrës me 11 trupa të shërbimit, 1 mjet zjarrfikës dhe 4 punonjës të shërbimit zjarrfikës nga bashkia e Libohovës si dhe një mjet zjarrfikës dhe 16 forca të Detashmentit të Mbrojtjes Rajonale (FA) Gjirokastër.