GJKKO rrëzon kërkesën e Belerit. Akuza në sallë: Turp, poshtë diktatura!
Kërkoi leje të betohet si kryebashkiak i Himarës, por në seancën e kësaj të hëne që nisi në orët e drekës, në fund GJKKO rrëzoi kërkesën e Fredi Belerit. Pas vendimi në sallë u dëgjuan akuzat ”Turp, poshtë dikatura”. Për mediat foli edhe kreu i PBDNJ-së. Ai tha se çështja ndaj Belerit është e orkestruar nga kryeministri Edi Rama i cili sipas tij ka interesa të mbajë Jorgo Goron si kryetar bashkie të Himarës me qëllim tjetërsimin e pronave pasurore për intereat e tij.
“Është për të shprehur keqardhjen për republikën tonë, demorkacinë tonë. Çështja Beleri nuk është asgjë më tepër sesa një kakofoni drejtësie ku tekstin, muzikën dhe orkestrimin e realizon një autor ekskluziv, Edi Rama.
Belerit prej muajsh i privohet e drejta themelore, ndërsa qytetarëve u privohet e drejta për të zgjedhur. Kryetari ne bashkisë e kanë zgjedhur dhe kryetar nuk kanë. Çështja është një dhe e vetme. Rama kërkon me çdo kusht të mbajë në krye të bashkisë së Himarës një kryetar që nuk e kanë votuar qytetarët me qëllim që të vazhdojë aferat korruptive që kanë qëllim tjetërsimit e statusit pasuror.
Kjo nuk është një ndërhyrje në punët e drejtësisë por një mendim që mund të shprehim për një vendim. Ndërhyrje në drejtësi është ajo që dëgjuat në intervistën e kryeministrit Rama. Janë momente shumë të vështira që krijojnë precedent të rrezikshëm që cënon shtetin e së drejtës, prezumimin e pavarësisë”,-u shpreh Dule.