Duam të votojmë! Shqiptarët e Italisë takojnë sot Nishanin

 

Shqiptarët e Italisë kërkojnë që në zgjedhjet e ardhshme elektorale në Shqipëri t’u njihet e drejta e votës në vendin ku ata jetojnë.

Siç bëhet me dije, kërkesën e tyre ata do ta prezantojnë zyrtarisht sot gjatë një takimi që do të zhvillojnë me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.

Prej mëse dy vitesh, nën iniciativën e organizatës së shqiptarëve F.A.R.E, Forumi i Shoqatave në rajonin e Reggio Emilia-s, komuniteti i shqiptarëve në Itali kërkon të drejtën e ushtrimit të votës së lirë dhe në vendin ku ata jetojnë e punojnë.

Kushtetuta shqiptare ia njeh këtë të drejtë çdo bashkëkombasi që ka mbushur moshën 18 vjeç, por duke votuar vetëm në territorin shqiptar. Në çdo prag zgjedhjesh, emigrantëve shqiptarë kudo që ndodhen u kërkohet nga çdo forcë politike kontributi i votës për të ardhmen e vendit, me premtimin se në zgjedhjet e ardhshme do të realizojnë ushtrimin e kësaj të drejtë në qëndrat e votimit të ngritura enkas për ta pranë ambasadave apo konsullatave ku jetojnë.

E fushatë pas fushate ku premtim është harruar. Në zgjedhjet e fundit elektorale të 2013-ës në Shqipëri, dhjetëra qendra votimi simbolike janë ngritur në disa qytete të Italisë ku mjaft emigrantë kanë votuar me një skedë elektorale të bardhë në shenjë proteste.

Studentë shqiptarë në universitetet e Bolonjës, Firences, Gjenovës etj, organizuan një sërë tubimesh manifestuese përfaqësuar nga slogani “Unë Votoj” për të kërkuar të drejtën e tyre të votës aty ka ata jetojnë, punojnë ose studiojnë.

Nismëtarët e këtij sllogani janë mbledhur përsëri sivjet, duke iu rikthyer kësaj fushate për të mos pritur më premtimet e harruar të politikës.

E kësaj here, gjërat duket se shkojnë ndryshe e një përfaqësi e komunitetit shqiptar në Itali do të pritet më 12 tetor nga Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani.

Në këtë takim, priten të diskutohen dhe çështje e problematika të tjera që preokupojnë aktualisht komunitetin shqiptar në Itali.

Emigrantët shqiptarë rezidentë në Itali deri më 1 janar të 2015 renditen në vendin e dytë për numër ndër komunitetet e huaja, me rreth 490.483 nënshtetas shqiptarë, 254.622 meshkuj e 235.861 femra.

SHKARKO APP