”Duan ta kenë SPAK-un nën kontroll”, Basha: Janë të zhytur të gjithë. E vetmja shpresë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë
Lulzim Basha i cili është rikthyer me takime në terren, tha se PD është kërcënimi kryesor për qeverinë për ta rrëzuar nga pushteti. Ndërsa teksa solli në vëmendje deklaratat e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, u shpreh se SPAK-u është shpresa e vetme për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Po ashtu tha edhe se PD po punon për hartimin e një programi për qeverisjen e vendit, ndërsa mbledhja e sotme bëhet në kuadër të ristrukturimit të degëve nr.8 dhe nr.2 në kryeqytet.
”Kërcënimi i dytë u vjen nga SPAK-u. Po të numërosh sulmet ndaj PD rivalizojnë vetëm me SPAK-un. Mbrëmë dhe sot e kuptuam pse duan me cdo kusht ta kenë SPAK-un nën kontroll, me hir ose pahir. Sepse janë të zhytur të gjithë. Por gjithsesi është ndryshe ta dëgjosh nga goja e 2-it që tregon me gisht 1-in.
SPAK-u është shpresa e vetme e shqiptarëve për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Nuk është perfekt, por është e vetmja shpresë ndaj duan ta mbysin ose ta kthejnë në një tjetër dele në vathën ku duan të fusin delet e tjera.
Nuk do ia dalin, sepse në këtë betejë kemi në krah ata që nuk na lanë 34 vite më parë si kopshti zoologjik i Europës, kemi në krah SHBA-të dhe vendet e tjera të perëndimit që na mirëpresin në gjirin e tyre por vetëm mbi standardet që kanë ndërtuar shoqëritë e tyre”,-tha Basha.